Hykmete Bajrami: Qytetarë, qeveria e 51% iu ka braktisur

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Hykmete Bajrami, gjatë debatit parlamentar lidhur me shtrenjtimin e rrymës iu është drejtuar qytetarëve nga foltorja e Kuvendit duke iu thënë, “a po e shihni? Qeveria e 51 përqindëshit iu ka braktisur”.

Deputetja Bajrami kujtoi publikimin e listës nga qeveria Kurti, e 50 bizneseve që kishin përfituar më shumë nga Qeveria Hoti gjatë ndihmave pandemike, duke shtruar pyetjen nëse kjo qeveri mund të publikojë listën përfituesve që do të përfitojnë nga subvencionimi prej 90 milionë eurosh i Qeverisë për energjinë elektrike.

“A mundet sot ministri Murati, a ka sot fytyrë Qeveria e Kosovës me dalë me publiku listën e top 50 përfituesve që përfitojnë nga subvencionimi 90 milionësh”, ka thënë ish ministrja e qeverisë Hoti.

Sipas saj, ZRrE ka bërë shkelje të madhe dhe i ka vu në lajthitje të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin, me dokumentin konsultativ.

“ZRrE ka bërë shkelje jashtëzakonisht të madhe, jo vetëm që ka marrë vendim t’i dyfishojë tarifat, por i ka vu në lajthitje të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin, me dokumentin konsultativ. ZRrE i ka lejuar shtesë gjithë operatorëve 132 milionë euro të hyra, ku i kemi dhënë krejt komente në ato të hyra, më 7 shkurt ata më nuk i kanë 132 milionë euro për operatorët, por i kanë plot 251 milionë të hyra. Ne kemi diskutuar dhe kemi dhënë komente bazuar në 132 milionëshin dhe ZRrE-ja një ditë para se të ngrisë faturat i ka ndryshuar të hyrat”, ka thënë Bajrami.

Kuvendi me kërkesë të tri partive opozitare po mbanë sot seancë të jashtëzakonshme debat parlamentar për vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e rrymës.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.