Hykmete Bajrami dhe Ramë Likaj

Hykmete Bajrami ia dorëzon detyrën Ramë Likajt

Ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ia ka dorëzuar detyrën ministrit të ri të këtij dikasteri, Ramë Likaj.

Ministrja tashmë e Financave, i ka uruar detyrën Likaj dhe uroi të ketë sukses në punën në këtë sektor të rëndësishëm të jetës në Kosovë.

Ministrja Bajrami, sipas njoftimit të kësaj Ministrie, informoi ministrin Likaj me punën që është bërë gjatë periudhës sa ka qenë në krye të MAShTI, me theks të veçantë organizimin e mësimit në distancë, por edhe për proceset që janë duke u zhvilluar, si përgatitja për Testin e Arritshmërisë dhe atë të Maturës, procesi i teksteve të reja shkollore dhe procese tjera të rëndësishme.

Ministri Likaj falënderoi ministren Bajrami për punën që ka bërë në këtë Ministri dhe theksoi se do të vazhdojë me përkushtim punën në institucionin më të lartë të arsimit në vend.

Dje është votuar Qeveria e re në krye me Avdullah Hotin e LDK-së, të përbërë në koalicion me AAK-në, NISMA-në dhe Listën Serbe.

Me formimin e Qeverisë së re, Hykmete Bajrami nga radhët e LDK-së është zhvendosur në ministrinë e Financave.

Kurse, ministria e Arsimit i është besuar Ramë Likajt nga AAK.