Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Huqja në raportimet për vdekjen e 54 vjeçarit në Telekomin e Kosovës

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tetë vite që kur Posta e Kosovës është ndarë si ndërmarrje nga Telekomi i Kosovës, mediat vazhdojnë të kenë probleme në raportimin e ngjarjeve për këto dy ndërmarrje publike.

Një situatë e tillë është vërejtur edhe në raportimin për vdekjen e një punonjësi të Telekomit, i cili në shumë prej mediave u raportua se është punëtor i Postës.

Në një reagim për publikun Posta e Kosovës demantoi informacionin se i vdekuri është punonjës në Postë, ndërsa Sindikata e Punëtorëve të Telekomit njoftoi se 54 vjeçari i vdekur është punonjës i Telekomit dhe jo i Postës, ashtu siç është raportuar në media.

“Sqarojmë mediat dhe publikun e gjerë, se në ndërmarrjen publike, Posta e Kosovës Sh. A., nuk ka pasur rast të vdekjes së punonjësit, siç është raportuar sot në media”, thuhet në njoftimin e Postës.

Portali Lajmi.net sot kishte raportuar se ka vdekur një punëtor i Postës në orarin e tij të punës.

“Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të martën rreth orës 14:20 është raportuar se një person ka ndërruar jetë. Lajmi.net, mëson se bëhet fjalë për një 54-vjeçar, punëtor të Postës së Kosovës, i cili kishte vdekur në orarin e punës në objektin qendror të Postës mirëpo, policia nuk ka dhënë ndonjë detaj shtesë në lidhje me vdekjen e tij e as ngjarjen se ku ka ndodhur”, shkruan Lajmi.net.

Lajmin e portalit Lajmi.net e kanë ripublikuar edhe portalet Press Kosova, Prishtina News.

Portali Arbresh.info ka shkruar se një punëtor i Postës është gjetur i vdekur dje rreth orës 14:20 në Prishtinë.

“Personi në fjalë është punëtor i Postës së Kosovës i moshës 54 vjeçare dhe rasti ka ndodhur në objektin qendror të Postës në Prishtinë”, ka shkruar Arbresh.info.

Portali Metro ka raportuar se ka vdekur në mënyrë të dyshimtë një person në Postën e Kosovës duke thënë se rasti ka ndodhur në objektin qendror të Postës në Prishtinë.

“Personi në fjalë është punëtor i Postës së Kosovës i moshës 54 vjeçare dhe rasti ka ndodhur në objektin qendror të Postës së Prishtinë”, ka shkruar Metro.

Edhe portali Reporteri në artikullin “Ky është punëtori i Postës që u gjet i vdekur sot” ka raportuar se personi i vdekur është punëtor i Postës.

Portali Publicisti për këtë lajm të rremë ka raportuar duke u bazuar në deklarata të dëshmitarëve.

“Një dëshmitar (punëtor tjetër i Postës) ka thënë  se e ka dëgjuar një zhurmë nga zyra e tij, dhe kur ka dalë e ka parë të shtrirë punëtorin pa shenja jete”, shkruan Publicisti.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian”.