
Flamuri i Kosovës është ngritur mbrapsht. Foto: ZKM
Huqja gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit për 17 shkurt, u vendos mbrapsht në ceremoninë shtetërore
Në ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit shtetëror në nder të 17-vjetorit të Pavarësisë, flamuri i Kosovës është ngritur mbrapsht.
Flamuri i Kosovës që u ngrit në shtizë nga ushtarët e FSK-së, e kishte hartën e vendosur në anën e kundërt.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Megjithatë, flamuri i vendosur mbrapsht në oborrin e Qeverisë së Kosovës, u rregullua dhe u vendosë drejt.
KALLXO.com ka qëndruar në oborrin e qeverisë dhe ka parë që flamuri i vendosur mbrapsht është zëvendësuar me një flamur tjetër.
Ndërsa, edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka konfirmuar për KALLXO.com se flamuri u ndërrua.
Më 17.02. 2025, shënohet 17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës.
Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës, një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.
Shënim: Artikulli është edituar më 19.02.2025, ora 14:12.