Ramush Haradinaj - Kryeministër në dorëheqje

Huqja e Ramush Haradinajt, e 'shpalli të vdekur' Alfred Kaçinarin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka ngatërruar vdekjen e kompozitorit prizrenas Gjergj Kaçinari me kompozitorin tjetër nga Shqipëria Alfred Kaçinarin.

Haradinaj në një postim ngushëllues ka ngushëlluar vdekjen e Alfred Kaçinarit, duke bashkangjitur edhe një fotografi të tij.

“Arti dhe kultura shqiptare sot humbën një profesionist prestigjioz në fushën e muzikës në Shqipëri, të madhin Alfred Kaçinari”, thuhet në postimin e Haradinajt në rrjetin social ‘Facebook’, postim të cilin e ka larguar vetëm pas disa minutash.

Alfred Kaçinari është kompozitor, orkestrues, dirigjent e muzikant shqiptar.

Sot është raportuar se ka vdekur kompozitori prizrenas, Gjergj Kaçinari në moshën 80 vjeçare.

Varrimi i tij do të bëhet të shtunën në varrezat katolike në Prishtinë në orën 14:00

Për vdekjen e Gjergj Kaçinarit ka ngushëlluar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Më pikëlloi vdekja e kompozitorit të njohur Gjergj Kaçinari, i cili i dha shumë skenës artistike. Puna dhe krijimtaria e tij kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në artin dhe kulturën shqiptare”, ka shkruar Thaçi.