Huqja e Policisë, kandidati diagnostifikohet gabimisht me leukemi

Në edicionin e së premtes Drejtësia në Kosovë sjell rrëfimin ekskluziv të Urim Pllanës një kandidati të cilit i ishte refuzuar aplikacioni për t’u bërë polic me arsyetimin se vuan nga një sëmundje e rëndë.

Pllana ka dëshmuar në emision se nga Policia kishte marrë një njoftim se gjatë testimeve për t’u bërë polic, në analizat e tij ishte identifikuar një sëmundje e rëndë.

Kandidati ka rrëfyer se kishte kryer katër kontrolle të tjera mjekësore përfshirë kontrollin në klinikën e njëjtë e cila ishte kontraktuar nga policia dhe analizat kishin dëshmuar se nuk kishte asnjë problem shëndetësor.

Rrëfimi i Pllanës sjell edhe problem të tjera të cilat e shoqëruan procesin e rekrutimit të tij në polici.

Emisioni i së premtes i dedikohet edhe rasteve ku qytetarët presin me vite të tëra për t’i zgjidhur lëndët e tyre në gjykata.

Një ish punonjës i PTK-së ka rrëfyer se ka shkuar azil e ka dashur të bëjë vetëvrasje për shkak të pritjeve të gjata për të marrë një përgjigje për kontestin e punës të cilin e ka me PTK-në.

Emisionin mund ta ndiqni këtë të premte nga ora 22 e 20 dhe repriza të hënë në mesditë.