Huqja e kryeministrit Kurti, për Besarta Jasharin thotë se është vajza e Adem Jasharit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në fjalimin e tij të mbajtur në Kuvend, teksa po kujtonte sulmet mbi familjen Jashari me rastin e 24-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, e ngatërroi Besarta Jasharin, për të cilën tha se është e bija e kryekomandantit Adem Jashari.

Në fakt, Besarta është mbesa e Adem Jasharit, saktësisht vajza e heroit Hamëz Jashari.

“E vetmja e mbijetuar e familjes Jashari nga kjo masakër, që ka arritur të tregojë ngjarjen si e ka parë me sytë e saj – është vajza e kryekomandantit Adem Jasharit – Besarta”, tha kryeministri Kurti.

Kjo ‘ngatërresë’ vërehet edhe në fjalimin e plotë të cilën e ka publikuar faqja zyrtare e Kryeministrit. Përveç asaj, Kurti fjalimin e njëjtë duke mos e përmirësuar veten dëgjohet edhe në një video të publikuar nga një media.

Më 5 mars u bënë 24 vjet nga rënia e komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.