Huqja e ish-Ministrisë së Integrimeve, u publikua një listë ku thuhet se kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në shtete të BE-së

Një publikim i ish Ministrisë së Integrimeve Europiane, që nuk ka një datë se kur është publikuar, thuhet se kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në disa shtete të Bashkimit Evropian, si Gjermania, Zvicra, Franca, Belgjika, Suedia apo Norvegjia.

Kjo Ministri me Qeverinë Kurti 2 është shuar, si pjesë e zvogëlimit të numrit të ministrive.

Në këtë publikim, përmenden një numër i madh i shteteve, ndërsa thuhet se nuk bëjnë pjesë Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda, pasi janë shtete jashtë zonës Shengen.

“Shtetet në të cilat mund të udhëtohet pa viza janë ato të Bashkimit Europian: Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Poloni, Portugali, Qipro, Republika Çeke, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi. Qytetarët kosovarë udhëtojnë pa viza edhe në Islandë, Norvegji e Zvicër e Litehshtejn”, thuhet në këtë publikim.

Publikimi nuk dihet se kur është bërë dhe për çfarë arsye, duke ditur se kosovarët përballen me regjim të vizave dhe çështja e liberalizimit të tyre, ka qenë një temë që është diskutuar për vite me radhë.

KALLXO.com ka kontaktuar Kaltrina Zeka, asistente në kabinetin e zv/kryeministrit të parë për Integrime Evropiane, Besnik Bislimit, por e njëjta ka sugjeruar të kontaktohet zëdhënësi i Qeverisë.

Gjithashtu, është kontaktuar edhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, e cila merret me teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit në institucionet e Kosovës, por që deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk janë përgjigjur.

Ndërsa KALLXO.com ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili tha se publikimi është bërë rreth viteve 2016-2017 dhe qëllimi i publikimit ishte një fushatë e vetëdijësimit për liberalizimin e vizave.

Sipas tij, informatat e publikuara në web-faqe ishin të renditura si më poshtë: Çka është Liberalizmi i Vizave, Udhërrëfyesi, Raportet, Vendet ku mund të udhëtohet pa viza, me këtë të fundit duke nënkutpuar pas liberalizimit të vizave.

Kryeziu, po ashtu ka njoftuar se pas interesimit të KALLXO.com, formulimi i fjalisë dhe informatave është përmisuar, duke e spjeguar për vendet që mund të udhëtohet pa viza, pas liberalizimit të tyre.

“E kuptojmë që nëse postimi shihet si i ndarë apo i veçuar mund të mos jetë kuptimplotë, mirëpo siç mund ta shihni më lartë rubrika është vendosur një renditje të caktuar që i jep kuptim asaj dhe postimit pas klikimit në rubrikë. Megjithatë pas interesimit tuaj, kemi bërë një ndryshim në formulimin e fjalisë, për ta bërë sa më të qartë se flitet për periudhën pas Liberalizmit të Vizave”, ka thënë Kryeziu.