Ushtarët hungarezë kanë ndihmuar në shpërndarjen e vaksinës Pfizer-BioNTech: Fotografi nga BBC

Hungaria, shteti i parë në Bashkimin Evropian që miraton vaksinën ruse

Hungaria është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që jep miratimin paraprak të vaksinës ruse për COVID-19, Sputnik V, shkruan BBC.

Shefi i stafit të kryeministrit Viktor Orban konfirmoi se vaksinës ruse dhe Oxford-AstraZeneca i është dhënë drita jeshile nga autoritetet shëndetësore.

Ministri i Jashtëm Peter Szijjarto po udhëton në Moskë për bisedime të mëtejshme, ku pritet të diskutojë një marrëveshje dërgesash dhe shpërndarjeje.

Rezultatet e hershme nga provat e vaksinës Sputnik kanë treguar rezultate premtuese.

Zyrtarët shëndetësorë hungarezë janë gjithashtu në Pekin për bisedime me autoritetet kineze mbi miratimin dhe shpërndarjen e menjëhershme të një milion dozave të vaksinës Sinopharm, e cila tashmë po përdoret në Serbi.

Sinopharm, një kompani shtetërore kineze, njoftoi muajin e kaluar se provat e fazës tre të treguan se ishte 79% efektive – më e ulët se ajo e Pfizer dhe Moderna.

Por, kryeministri i Hungarisë ka thënë se mënyra e vetme që vendi mund të plotësojë kërkesën për vaksinim, duke pasur parasysh shpërndarjen e ngadaltë “zhgënjyese” të vaksinës Pfizer-BioNTech, është duke blerë nga Rusia dhe Kina.

Të paktën 140 mijë hungarezë tashmë janë vaksinuar. Por përpjekjet e qeverisë për të popullarizuar vaksinat ruse dhe kineze tashmë janë ndeshur në kundërshtime.

Skepticizmi dhe dyshimi midis hungarezëve, të paktën në imagjinatën e publikut, lidhet me dominimin komunist të vendit nga 1948 deri në 1989.

Masa ka tërhequr gjithashtu kritika nga Bashkimi Evropian, i cili është i kujdesshëm ndaj një shembulli tjetër të qeverisë së Orban që shkon në rrugën e saj dhe minon solidaritetin e BE-së.

Në Budapest, jashtë qendrës tregtare Allee, pikëpamjet janë të ndryshme për vaksinimin në përgjithësi. Ekzistojnë veçanërisht ndjenja të forta rreth perspektivës së vaksinave të zhvilluara jashtë BE-së që do të përdoren.

Orsolya Egri, një punëtore bujtine, tha se ajo besonte se kishte një “ndryshim të madh” midis një vaksine që fitonte miratimin hungarez dhe miratimit në të gjithë BE-në.

“Nëse miratohet vetëm nga autoritetet hungareze, unë nuk do të guxoja”, tha ajo. “As unë nuk i besoj qeverisë hungareze ose sistemit shëndetësor”, tha ajo.

Egri tashmë ka marrë vaksinën Pfizer, për shkak të natyrës së punës së saj, por ajo është veçanërisht e shqetësuar për prindërit e saj të moshuar të cilët mund të mos kenë zgjidhje se cilën vaksinë marrin.

“Unë kam marë vaksinën Pfizer, tashmë dhe do t’ia rekomandoja kujtdo”, tha Alexandra Tarhazy, ndihmëse e një dentisti. “Unë i besoj më shumë sepse hungarezët ishin të përfshirë në zhvillimin e tij”.

Katalin Kariko, një biokimist i cili u largua nga Hungaria për në SHBA në  vitin 1985, luajti një rol kryesor në zhvillimin e vaksinës Pfizer-BioNTech.

“Jam në gjendje të mirë, i shmang të gjitha goditjet. Shpresoj se nuk do të na detyrojnë”, tha Jozsef, i cili po bënte shpërndarjen e ushqimit me motor për të shtuar të ardhurat e humbura nga puna e tij ditore. “Nuk i besoj asnjërit prej tyre”, tha ai.

Në fakt, hungarezët janë ndër njerëzit më vaksinues-skeptikë në Evropë. Vetëm 49 përqind janë të gatshëm të vaksinohen, sipas sondazhit të fundit të Eurobarometer.

Disa fajësojnë këtë ngurrim për entuziazmin e qeverisë për Moskën dhe Pekinin, si dhe armiqësinë e saj ndaj të gjitha gjërave evropiane.

“Linja e politikës së jashtme është që ne duhet të kemi marrëdhënie të mira me fuqitë e mëdha lindore”, tha Anita Elo, korrespodente e shëndetit për portalin e pavarur konservator, Valasz.

Disa sondazhe sugjerojnë se vetëm shtatë përqind e hungarezëve do të pranonin vaksinën ruse, ndërsa pranimi i versionit kinez është matur deri në një përqind nga disa sondazhe.

Megjithatë, Qeveria hedh poshtë ashpër kritikat e tyre.

“Asnjë vaksinë nuk mund të vijë në tregun hungarez që nuk është në përputhje me standardet që do ta bënin atë të sigurt dhe të besueshëm”, tha zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs.

“Mos kërkoni këtu asnjë lloj konspiracioni”, tha ai.

Kritika ndaj Hungarisë për arritjen e marrëveshjeve të vaksinave me aleatët lindorë është prova e “standardeve të dyfishta” në Perëndim, këmbënguli Kovacs dhe vuri në dukje se kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti rus Vladimir Putin kishin zhvilluar bisedime për të njëjtën çështje.

Rusia po financon dhe po ndërton një zgjerim të madh të stacionit të energjisë bërthamore të Hungarisë në Paks. Universiteti Kinez Fudan gjithashtu do të hapë një kampus në Budapest në vitin 2024 dhe planet po përparojnë për një hekurudhë kineze me shpejtësi të lartë që do të lidhte Budapestin me Selanikun dhe do të sillte mallra kineze në Evropë.

Ndërkohë, një mjek i vjetër i tha BBC-së se gjashtë mijë doza të vaksinës Sputnik V do të përdoret në tre mijë vullnetarë hungarezë të paguar në fazën tre të një prove klinike në javët e ardhshme.

“Vaksina është e mirë”, tha ai. “Por ju lutem mos e lejoni qeverinë të dijë që unë kam folur me ju”, tha ai.