Foto: ZKM

Hungaria përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën

Hungaria përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën dhe e bën këtë aktivisht në secilin institucion vendimmarrës të Bashkimit Evropian.

Kështu citohet të ketë thënë ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Jozsef Bencze, gjatë një takimi që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

ZKM-ja përmes një komunikate për media, ka theksuar se ambasadori Bencze i uroi fillim të mbarë dhe suksese kryeministrit Kurti në punën e re.

“Ai tha se Kosova ka një partner shumë të rëndësishëm te Hungaria dhe që mund të llogarisë në mbështetjen e saj në qëllimet e përbashkëta, sidomos në synimet e Kosovës për integrim evropian. Në këtë drejtim, Hungaria përkrah fuqishëm liberalizimin e vizave për Kosovën dhe e bën këtë aktivisht në secilin institucion vendimmarrës të BE-së”, vijon komunikata.

Kurse, kryeministri Albin Kurti citohet të  ketë thënë se Hungaria ka qenë një mbështetëse e hershme dhe e vazhdueshme e Kosovës edhe para edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj.

“Ai veçoi mbështetjen e Hungarisë në vitet e fundit në dy fusha, atë të infrastrukturës dhe arsimit. Në infrastrukturë përmes realizimit të projektit të rrjetit të kanalizimit, i cili përkon me nevojat e qytetarëve dhe planin e Qeverisë për shtrirjen e plotë të këtij rrjeti në të gjithë vendin deri në vitin 2025. Kurse në arsim përmes programit të bursave të studimit në Hungari për studentët tanë, nga i cili vetëm këtë vit do të përfitojnë 75 studentë”, theksoi ai.

Sipas ZKM-së, Kurti dhe ambasadori Bencze do të vazhdojnë të jenë në kontakt me qëllim përparimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve.

Javën e kaluar, shumica e Parlamentit Evropian e ka mbështetur liberalizimin e vizave për kosovarët me rastin e votimit të raportit për Kosovën.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.

Pas dritës së gjelbër që mori Kosova për heqjen e vizave nga ana e Komisionit dhe Parlamentit të Bashkimit Evropian, kjo temë ka mbetur tashmë në vullnetin e shteteve anëtare veç e veç të BE-së për të vendosur, përkatësisht në Këshill të Bllokut Evropian.

Vizat stagnojnë në Këshill të BE-së, premtohen në Kosovë