Hungaria nuk i paguan gjobat e BE-së për shkeljen e rregullave të azilit

Bashkimi Europian ka nisur të mërkurën (18.09.2024) tërheqjen e qindra miliona eurove fonde që ishin menduar t’i shkonin Hungarisë pasi qeveria e saj anti-emigrante ka refuzuar të paguajë një gjobë të madhe për shkeljen e rregullave europiane të azilit, ka raportuar agjencia AP.

Në qershor, gjykata më e lartë e Bashkimit Europian e urdhëroi Hungarinë që të paguante 200 miliona euro për privimin e vazhdueshëm të së drejtës së emigrantëve për të aplikuar për azil. Gjykata shqiptoi edhe një gjobë shtesë prej një milionë euro për çdo ditë që dështoi të respektonte këto rregulla.

Gjykata Europiane e Drejtësisë i ka përshkruar veprimet e Hungarisë si “shkelje jashtëzakonisht serioze dhe të pashembullt të ligjit të BE-së”. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e ka denoncuar verdiktin, duke e cilësuar si “acarues dhe të papranueshëm”.

Komisioni Europian, degë ekzekutive e BE-së, ka bërë të ditur se duke pasur parasysh dështimin e Hungarisë për të paguar gjobën ose për të ofruar informacione për qëllimet e veta ka bërë që Brukseli të marrë hapa shtesë, duke tërhequr paratë prej fondeve të zakonshme që ndryshe do t’i shkonin Budapestit.

“Andaj, çfarë do të bëjmë është se tani do të deduktojmë 200 milionë euro nga pagesat e ardhshme nga buxheti BE-së për Hungarinë”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Europian, Balazs Ujvari. Ai ka thënë se do të duhet kohë derisa të identifikohen se cila pjesë të fondeve të Hungarisë do të shkurtohen.

Ujvari ka thënë se Komisioni ka dorëzuar kërkesën e parë për pagesë për gjobën ditore prej 93 milionë euro deri tani. Komisioni ka njoftuar se Hungaria do t’i ketë 45 ditë për ta paguar gjobën.

Qeveria nacionaliste e Hungarisë ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve që kanë hyrë në vend, prejse më shumë se një milionë njerëz arritën në Europë më 2015, shumica prej të cilëve po largoheshin nga konflikti në Siri.

Hungaria ndryshoi sistemin e saj të azilit gjatë krizës kur më shumë se 400 mijë persona kaluan nëpër Hungaria me synim Europën Perëndimore.

Qeveria hungareze urdhëroi vendosjen e një rrethoje gjembore në kufijtë jugorë me Serbinë dhe Kroacinë, dhe disa zona transiti për azilkërkuesit që ndaleshin në kufirin e saj me Serbinë. Zonat transite janë mbyllur tashmë.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com