Ilustrim

Hungaria nuk do të përdor veto kundër sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë

Hungaria nuk do të përdor veton kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë lidhur me sulmin që ky shtet po i bën Ukrainës.

Kryeministri, Viktor Orban, tha se uniteti i bllokut 27-anëtarësh është parësor duke pasur parasysh luftën në Ukrainë.

Këtë javë, Hungaria iu bashkua një nisme të tetë liderëve të BE-së për të filluar bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën fqinje, por Hungaria anëtare e NATO-s ka refuzuar transportin e armëve vdekjeprurëse përmes territorit të saj për në Ukrainë.

58-vjeçari Orban përballet me zgjedhjet në pak më shumë se katër javë, por fushata e tij është komplikuar nga rritja e inflacionit, një ngrirje e financimit të BE-së për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi standardet demokratike dhe pasojat nga lufta në Ukrainë.

“Ne e dënojmë sulmin rus, pasi ata kanë nisur një luftë kundër Ukrainës”, tha Orban për faqen e lajmeve mandiner.hu në një intervistë të botuar të enjten.

“Palët duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur. E gjithë Europa duhet të punojë për paqen”, tha Orban.

Orban, i cili është kritikuar ashpër nga opozita hungareze për lidhjet e tij miqësore me Moskën, tha se lidhjet e Hungarisë me Rusinë kanë qenë “të balancuara dhe të drejta” deri në të kaluarën shumë të afërt, por lufta ka krijuar një situatë të re.

Ai shtoi megjithatë se nuk kishte asnjë arsye për të ndërprerë lidhjet energjetike me Rusinë.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt megjithëse kishte mohuar planet për pushtim për javë të tëra.

Sulmi ndaj Ukrainës u pasua me sanksione të ashpra nga vendet perëndimore për Rusinë./REL