
Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Humbja e shumicës, fjalimi i Kurtit dhe raportet me Perëndimin e Serbinë dominojnë mediat botërore për Zgjedhjet në Kosovë
Shpallja e fitores nga Vetëvendosja e kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurtit, në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 – ku humbi shumicën parlamentare – dhe ndikimi i rezultatit zgjedhor në procesin e bisedimeve me Serbinë janë dy çështjet kryesore që janë trajtuar në shkrimet e mediave të mëdha ndërkombëtare për Zgjedhjet në Kosovë.
Antagonizmi me BE-në dhe SHBA-në
“Partia e Kryeministrit të Kosovës prin, por për pak nuk e fiton shumicën.” – shkruan BBC-ja duke iu referuar rezultateve të pjesshme.
Transmetuesi britanik pas paraqitjes së të dhënave preliminare i ka dhënë hapësirë deklaratës së Kurtit pas shpalljes së fitores në Sheshin para ndërtesës qeveritare. “Ne jemi fituesit dhe ky është konfirmim i qeverisjes së mirë, demokratike dhe prosperuese.” – citon Kurtin BBC-ja.
Menjëherë në fjalinë tjetër vë në pah vonimin e publikimit të rezultateve preliminare, për shkak të dështimit të Sistemit të numërimit të KQZ-së si pasojë e telasheve teknike.
“Presidentja Vjosa Osmani i ka bërë thirrje Komisionit që ‘të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor, duke siguruar që do votë të numërohet saktë’.” – i referohet BBC-ja reagimit të Presidentes së Kosovës. Sistemi i përpunimit dhe publikimit online të të dhënave është rifunksionalizuar gjatë ditës së sotme. Keqardhje për këto telashe ka kërkuar shefi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
BBC-ja thotë se Kurti kishte fuqizuar popullaritetin me përpjekjet e tij për zgjerimin e kontrollit qeveritar në veriun me shumicë etnike serbe. “Por, kjo ka antagonizuar mbështetësit kryesorë të Kosovës: BE-në dhe SHBA-në. Partitë opozitare avokojnë qasje më dakordësuese dhe kanë kritikuar mënyrën sesi Qeveria ka menaxhuar ekonominë.” – shkruan BBC.
Reuters spikat fjalimin e Kurtit për “hajvanët” dhe “hajnat” e opozitës
Edhe Agjencia e lajmeve Reuters që në titull njofton audiencën e saj ndërkombëtare sesi VV-ja e Kurtit fitoi Zgjedhjet, por humbi shumicën parlamentare. Kurti është zotuar në orët e hershme të 10 shkurtit 2025, në sheshin “Skënderbeu” se VV-ja do ta formojë Qeverinë e re, pa folur se kush mund të jenë partnerët eventualë të bashkëqeverisjes.
“Pavarësisht prej një rënieje nga Zgjedhjet e vitit 2021, rezultatet ia hapin rrugën kryeministrit Albin Kurti për t’i prirë Qeverisë së ardhshme në shtetin e vogël të Ballkanit, ku politikat dominohen prej marrëdhënieve me Serbinë fqinje dhe me serbët brenda kufijve të tij.” – shkruan Reuters që në paragrafin e dytë.
Sikur se në shkrimin paraprak para Zgjedhjeve, edhe në të riun një ditë pas tyre, Reuters e përshkruan Kurtin si majtist dhe nacionalist shqiptar, duke vlerësuar se ai pritet t’i vazhdojë politikat e tij për zgjerimin e kontrollit qeveritar në veri të vendit, “ku jetojnë 50 mijë serbë etnikë, ku shumë prej të cilëve refuzojnë ta njohin pavarësimin e Kosovës nga Serbia më 2008”.
“Kjo i shqetëson të moderuarit, të cilët i druajnë kthimit të dhunës etnike që kishte goditur rajonin në vitet e fundit.” – shkruan Agjencia Reuters. Duke iu referuar adresimit para mbështetësve në zemër të Prishtinës, Reuters tregon sesi Kurti iu drejtua opozitarëve me “hajvanë” dhe “hajna”, të gatshëm për të lidhur pakt edhe “me djallin“ kundër Qeverisë së tij. Në fund, Reuters vë në pah sesi Kosova u sanksionua më 2023 për rolin e saj në tensionet e veriut – duke mbetur pa 150 milionë euro fonde të Bashkimit Europian.
Edhe gazeta “Le Monde” në faqen e saj zyrtare në edicionin në gjuhën angleze raporton për dështimin e Kurtit për të siguruar shumicën parlamentare kësaj here. Shkrimi është i Agjencisë franceze të lajmeve AFP që raporton se Kurti është munduar të çrrënjoste ndikimin serb në tokën e Kosovës gjatë mandatit të tij, derisa opozita është zotuar ta fuqizojë ekonominë në njërin prej vendeve më të varfëra të Europës.
“Pa asnjë parti me shumicë të qartë në Parlamentin me 120 mandate, Kosova me gjasë pritet që gjatë ditëve e javëve të ardhshme të ketë bisedime për koalicion dhe hise pushteti para formimit të Qeverisë.” – shkruan AFP-ja. “20 mandate në legjislaturë janë të rezervuara për partitë e minoriteteve, përfshirë 10 sosh për serbët etnikë të Kosovës”.
Hija e pandashme e bisedimeve të ngecura me Serbinë
Bisedimet e ngecura të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë janë spikatur në nëntitullin e shkrimit të edicionit në anglisht në faqen e televizionit Al-Jazeera, që për titull ka fitoren me humbje të shumicës parlamentare të Vetëvendosjes. Gazetarja Maja Blazevska e “Al-Jazeeras” vlerëson nga Prishtina se “Kosova do t’i kthehet krijimit të një Qeverie koalicioni”.
Qeveria e Kurtit ishte e para në historinë e Kosovës – shtet që e mori dhe e çoi deri në fund mandatin, por që sipas Al-Jazeera-s mandati u përshkua edhe me përplasje të vazhdueshme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve etnikë. “Tensionet shpërthyen në mars 2023 pas dështimit të negociatave të mbështetura nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” – shkruan Blazevska, duke raportuar edhe për sulmin vdekjeprurës në Banjskë në shtatorin e të njëjtit vit dhe për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit më 2024. Kurti fajësoi Beogradin për sulmet e tensionet.
Televizioni Euronews raporton se Kurti është shprehur i bindur se do ta formojë Qeverinë e re, megjithëse nuk i ka numrat bazuar në rezultatet e deritanishme preliminare të KQZ-së – pa përfshirë numërimin e votave të diasporës dhe ato me kusht.
“Nëse Kurti dështon që të fitojë shumicën e domosdoshme për të qeverisur i vetëm dhe dështon të formojë Kabinetin qeveritar, kjo mund t’i hapë rrugë mundësisë që dy partitë e tjera t’i bashkojnë radhët në një koalicion dypartiak.” – shkruan Euronews, megjithëse LDK-ja disa orë pas mbylljes së vendvotimeve dha zotimin se do të vazhdojë të mbetet në opozitë.
“Por, Kurti më parë ka përjashtuar mundësinë të bashkëpunojë me cilëndo parti opozitare.” – shkruan televizioni europian.
Trefish më shumë gjoba se në vitin 2021
Edhe e përditshmja britanike “The Guardian” në shkrimin e saj për të cilin thotë se është kontribut edhe i Agjencive Reuters e The Associated Press i referohet Kurtit si nacionalist shqiptar.
“Analistët politikë thonë se popullariteti i Kurtit u fuqizua prej lëvizjeve për ta zgjeruar kontrollin qeveritar në veriun e Kosovës me shumicë etnike serbe. Por, kritikët thonë se dështoi në arsim dhe në shërbime të kujdesit shëndetësor dhe se politikat e tij kanë distancuar Kosovën prej aleatëve të saj tradicionalë, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.” – shkruan gazeta londineze. “LDK-ja e qendrës së djathtë bëri fushatë për restaurimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara e BE-në dhe për anëtarësim në NATO”.
The Guardian shkruan në fund se “fushata zgjedhore ka qenë e ashpër”. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që monitoron ankesat e partive dhe kandidatëve ka shqiptuar më shumë se 650 mijë euro gjoba për partitë gjatë kësaj fushate zgjedhore, apo trefish më shumë se në Zgjedhjet e vitit 2021 – raporton gazeta britanike, duke iu referuar të dhënave të organizatës joqeveritare Demokracia në Veprim.
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com