Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli - Foto: Atdhe Mulla

Human Rights Watch: Aktakuza për krime lufte avancon drejtësinë

Organizata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut  Human Rights Watch (HRW), ka deklaruar se aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Specializuar ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së, avancon drejtësinë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë dhe pas luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Lotte Leicht, drejtoreshë për Bashkimit Evropian në organizatën HWR, tha se aktakuza është hap pozitiv për drejtësinë.

“Kjo aktakuzë është një hap pozitiv për drejtësinë pasi këto krime të supozuara janë varur mbi Kosovën për dy dekada,” tha ajo.

“Pas viteve të kërkimit të drejtësisë, viktimat nga të gjitha grupet etnike më në fund mund të kenë ditën e tyre në gjyq”, ka shtuar ajo.

HWR tutje thekson se gjatë luftës, Thaçi shërbeu si kryetar politik i UÇK-së, e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës nga Serbia dhe se pas luftës, ai shërbeu si kryeministër dhe u zgjodh president në vitin 2016.

Sipas organiztës, sfidë kryesore për drejtësinë mbetet mbrojtja e dëshmitarëve.

“Nevoja për të siguruar dëshmitarë dhe prova ishte arsyeja kryesore që hetimet për këto raste dhe Gjykata Speciale është vendosur jashtë vendit, në fillim në Bruksel dhe më pas në Hagë”, thuhet në deklaratë.

Organizata tutje thekson se Dhomat e Specializuara të Kosovës, veprojnë  në bazë të ligjit të Kosovës, por me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

HWR shton se gjyqtari duhet të konfirmojë aktakuzën përpara se të fillojë gjykimi.

Kjo organizatë përmend faktin se prokurori e publikoi aktakuzën tri ditë para se Thaçi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq të takoheshin në Uashington për të diskutuar mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Një deklaratë nga Zyra e Presidentit Thaçi tha se ai kishte “ndërprerë udhëtimin zyrtar”.

Duke cituar njoftimin e Speciales, HWR përmend se prokurori e kishte konsieruar të nevojshme të shpallet aktakuza aktualisht për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit “për të penguar dhe minuar” punën e gjykatës, duke përfshirë “një fushatë të fshehtë për të rrëzuar ligjin që krijon gjykatën dhe të pengojë punën e saj si përpjekje për t’u siguruar që ata të mos përballen me drejtësinë”.

HWR gjithashtu thekson se në nëntor 2019, Thaçi i shkruajti Sekretarit Amerikan të Shtetit Mike Pompeo duke i kërkuar SHBA të ndryshojnë mandatin dhe vendndodhjen e gjykatës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit, Thaçi e Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Pas publikimit të aktakuzës ndaj tij nga Prokuroria e Specializuar për krime kundër njerëzimit, presidenti Hashim Thaçi deri më tani nuk ka dalë me ndonjë reagim publik.

Por, një ditë pas publikimit të ngritjes së aktakuzës, Thaçi ka përditësuar fotografinë e kopertinës në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Në këtë fotografi është e paraqitur stema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kurse, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i ka quajtur politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit për krime dhe pengim të punës së gjykatës.

Lideri i PDK-së tha se në një veprim të paprecedent, prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon.

Gjykata Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës – nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës – për të gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate. Në atë kohë, kryeministërka qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.