Foto: UBO Consulting

Hulumtimi tregon sa para i shpenzuan kosovarët për festat e fundvitit

UBO Consulting, një kompani vendore për hulumtime, ka realizuar hulumtimin e fundit për shpenzimet e familjeve kosovare gjatë festave të fundvitit.

Hulumtimi “Shpenzimet e Familjeve Kosovare gjatë Festave të Fundvitit” tregon se përqindja e qytetarëve që festojnë festat e fundvitit është rritur për 7% nga viti 2018 në vitin 2019.

Nga 73% sa ka qenë në vitin 2018, në vitin 2019 kjo përqindje ka arritur në 81%.

Sipas hulumtimit të UBO Consulting, shpenzimet totale që familjet kosovare bënë gjatë festave në vitin 2018 ishin 34.2 milionë euro, ndërsa kjo shumë është rritur në 36.1 milionë euro në 2019.

“Ndërkaq, shpenzimet mestare të një familjeje në vitin 2018 ishin 158 euro, ndërsa në 2019 janë 150 euro”, thuhet në njoftimin e UBO Consulting.

Rezultatet e këtij hulumtimi tregojnë se në vitin 2019, 19% e qytetarëve deklaruan se nuk do të festojnë festat e fundvitit.

Përqindja më e madhe e tyre, 70%, pohuan se festat e fundvitit nuk përkojnë me bindjet e tyre fetare, 19% nuk do të festojnë për shkaqe ekonomike dhe 11% dhanë arsye të tjera.

Foto: UBO Consulting

“Pjesa më e madhe (74%) e shpenzimeve të qytetarëve në vitin 2019 shkojnë për ushqime dhe pije, përqindje e rritur prej vitit 2018 (68%). E njëjta përqindje e shpenzimeve gjatë dy viteve (12%) i dedikohet dekorimeve festive. Për deri sa 11% e shpenzimeve në 2018 shkuan për dhurata dhe 9% për gjëra të tjera; këto përqindje u zvogëluan paksa në vitin 2019 (7% për të dyja)”, thuhet në njoftimin e UBO Consulting.

Në vitin 2019, 89% e qytetarëve të Kosovës, sipas këtij hulumtimi, bëjnë blerjet e fundvitit gjatë periudhës 25 – 31 dhjetor. Burimet kryesore që qytetarët përdorin për t’u informuar rreth produkteve dhe dhuratave për festat e fundvitit, edhe për vitin 2018 edhe 2019, janë televizioni dhe rrjetet sociale.

Hulumtimi tregon se sa i përket dhuratave që qytetarët dëshirojnë të dhurojnë apo të pranojnë, 79% preferojnë të pranojnë para të gatshme, përderisa 50% do të dhuronin para të gatshme.

“Poashtu, shumë prej qytetarëve preferojnë të pranojnë teknologji, udhëtime/bileta dhe veshmbathje. Në anën tjetër, shumë qytetarë preferojnë të dhurojnë ëmbëlsira, bizhuteri dhe libra”, vazhdon hulumtimi.

UBO Consulting është kompani lokale që ofron shërbime të konsulencës biznesore, hulumtime të tregut, dhe shërbime analitike në mbështetje të nevojave të sektorit publik dhe atij privat.

Ky hulumtim u realizua gjatë periudhës 7 deri 18 dhjetor, me 1069 respondentë nga 38 komuna të Kosovës.