Ilustrim

Hulumtimi i 'You Can Do': Pas vdekjes së burrit, gruaja me aftësi të kufizuara u dhunua nga kunati në prezencë të djalit të saj

Rrëfime tronditëse të dhunimeve dhe abuzimeve në forma të ndryshme të grave e vajzave me aftësi të kufizuara janë shpalosur nga organizata joqeveritare “You Can Do” të premten.

Në kuadër të projektit “Promovimi i mekanizmave shtetëror që gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara  gëzojnë jetën pa abuzime seksuale”, organizata “You Can Do”, ka bërë prezantimin e rrëfimeve të vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara për historitë e tyre të abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve.

Në këtë ngjarje, u përmenden rrëfimet e 10 rasteve të abuzimeve që kanë ndodhur ndaj grave me aftësi të kufizuara, në dy rajone të Kosovës.

Sipas të dhënave, në njërin rast një grua me aftësi të kufizuara, pas vdekjes së burrit të saj, ishte dhunuar nga kunati dhe kushërinjtë, në prezencë të djalit të saj.

Në një tjetër rast, një grua me aftësi të kufizuara thuhet se është dhunuar nga pesë persona për dy ditë radhazi, e cila lajmëroi rastin në polici, por pretendohet se Policia e Kosovës, nuk e besoi rastin e saj, theksohet sipas hulumtimit të “You Can Do”.

Sipas hulumtimit, një grua me aftësi të kufizuara e cila ka përjetuar traumë nga tentim dhunimi dhe maltretime të shumta nga familja. Në një rrëfim tjetër, një grua me aftësi të kufizuara e përdhunuar nga disa burra, ajo mbetet shtatzënë dhe është e detyruar nga familja ta mbajë familjen në bark dhe duke mos e takuar më asnjëherë pas lindjes.

Një grua me aftësi të kufizuara e shfrytëzuar dhe e shitur tek personat e tretë nga persona të tjerë, theksoi tutje “You Can Do”.

Një grua me aftësi të kufizuara është detyruar që pas dhunimit të abortojë fëmijën pas tre muajve shtatzëni nga dhunuesi, bën të ditur hulumtimi.

Në një rast tjetër, një grua me aftësi të kufizuara ndaj së cilës u ushtrua dhunë fizike, dhe më pas u detyra të martohej me një burrë 50 vjet më të moshuar sesa ajo.

“Një grua me aftësi të kufizuara e cila ka përjetuar dhunë fizike nga arsimtarët, është fyer dhe ofenduar me fjalët më të rënda nga familjarët. Një grua me aftësi të kufizuara e rrahur nga vjehrri dhe më pastaj e lënë në mes të rrugës nga burri i saj pse fëmija i saj nuk është djalë. Një grua me aftësi të kufizuara pas vdekjes së fëmijës gjatë shtatzënisë, e keqtrajtuar nga familja duke mos qenë e pranuar për të qenë pjesë e familjes më”- janë disa nga rastet e tjera.

Mihrije Abdullahu, koordinatore e këtij projektit ka thënë se kanë bërë hulumtim në dy regjione të Kosovës në prokurori, gjykatë e në polici.

“Në këtë hulumtim është gjetur vetëm një rast i lajmëruar, vetëm një rast i iniciuar me kallëzim penale dhe është i dërguar prokurorit dhe gjykata ka vendosur për aktgjykim dënues” – ka thënë ajo.

Mirëpo e njëjta ka shtuar se gjendja në terren, fatkeqësisht nga hulumtimi i tyre ka dal të jetë krejt ndryshe.

“Në më pak se një muaj ne arritëm që të identifikojnë më shumë se 20 gra me aftësi të kufizuara që janë prekur nga abuzimet” – është shprehur Abdullahu.

Në fund, koordinatorja ka bërë thirrje që këto raste të merren seriozisht nga ana e shtetit dhe të trajtohen nga sistemi i drejtësisë.

E ftuar në këtë prezantim ka qenë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila rastet i cilësoi të rënda.

“Rastet që ju i përmendët janë të rënda, do të doja që të informohesha nëse janë raportuar pastaj” – ka thënë ajo duke shtuar se është obligim i gjithsecilit që kurdo që dëgjojnë raste të tilla t’i raportojnë ato në organet kompetente.

“Ne e kemi obligim që kur kuptojmë raste të tilla t’i raportojmë ato. Kërkoj nga ju që t’i raportoni këto raste dhe jo ti mbani për veti” – ka thënë Haxhiu.

I pranishëm ka qenë edhe Habit Hajredini, drejtor në Zyrën e Kryeministrit për Qeverisje të Mirë.

Ai ka thënë se është i lumtur që ZKM-ja si dhe Qeveria kanë forcuar bashkëpunimin me OJQ që të mblidhen sa më të dhëna në raste të tilla.

“Ajo që ne sot do të shohim në jetë prezantim që mund të them se është i pari në Kosovë që është bërë, dua të tregoj e vlerësojmë rëndësinë e këtij projekti dhe që çdo analizë, çdo rekomandim të këtij projekti është i mirëseardhur” – ka thënë ai.

Në fund Hajredini ka shtuar se do të marrin të gjithë përgjithësitë për ta shtyrë këtë projekt përpara.