Foto: Ilustrim

Hulumtimi i KALLXO: Pranon fajësinë për ryshfet laboranti i IKShPK-së

Laboranti i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK), Betim Selimi i cili ishte zënë nga ekipi i KALLXO.com duke marrë ryshfet me qëllim të përshpejtimit të kryerjes së testit të COVID-19, e ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Selimi gjatë ditës së sotme ka dalë para Gjykatës së Prishtinës, për t’u përballur me akuzën e marrjes së ryshfetit dhe i njëjti menjëherë pas leximit të aktakuzës, është deklaruar fajtor për veprën për të cilën akuzohet.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Një informacion i pranuar në KALLXO.com se një person brenda IKShPK-së po merr para për të përshpejtuar testin për COVID-19 për raste emergjente, kishte bërë që ekipi i KALLXO.com të hulumtoj rastin, i cili në fund rezultoi me arrestim dhe aktakuzë ndaj personit të dyshuar.

Laboranti i cili u siguronte qytetarëve testim pa i përfillur procedurat dhe pa ndonjë udhëzim nga doktorët, u kap në flagrancë nga ekipi i KALLXO.com në bashkëpunim me Policinë, duke marrë para në shumë prej 20 eurove.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë laboranti i IKShPK-së Betim Selimi në dhjetor të vitit 2020, në cilësi të personit zyrtar si staf teknik mbështetës për teste COVID-19, në mënyrë të drejtpërdrejtë me qëllim të përfitimit pasuror, ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet shumën prej 20 eurove nga gazetarja dhe hulumtuesja e KALLXO.com, Adelina Ahmeti, në mënyrë që të kryente testin për COVID-19 në mënyrë të përshpejtuar.

Paratë në vlerë prej 20 eurove më pas janë sekuestruar nga Policia gjatë kontrollit ë zyrën e IKShPK-së, veprime këto të cilat kanë qenë të filmuara nga ekipi i KALLXO.com, përmes urdhëresës së Gjykatës.

Hulumtimi i KALLXO që zbardhi dyshimet për afera korruptive në IKShPK

Fillimisht një person ishte paraqitur në KALLXO.com dhe kishte treguar përvojën e tij duke thënë se për të marrë një rezultat në mënyrë të shpejtë në IKShPK, një laborant i kishte kërkuar një shishe raki.

Pasi që pacienti nuk kishte pasur kohë për t’ia blerë rakinë, i njëjti kishte deklaruar se në këmbim të rakisë, laborantit i kishte dhënë shumën prej pesë eurove.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kryhen testet për COVID-19 me udhëzim paraprak të ndonjë doktori. Në bazë të simptomave të cilat mund të paraqiten te qytetarët, vjen edhe udhëzimi i mjekëve që testi PCR të kryhet brena IKSHPK.

Kryerja e testeve u është lejuar edhe disa ordinancave private por çmimet variojnë prej nga 65 euro deri në  200 euro.

Hulumtimi i KALLXO.com zbardhi se për të kryer testet në mënyrë të shpejtë dhe pa procedura e udhëzim duhej të jepej mito një laboranti të IKShPK-së.

Gazetarja e KALLXO.com muaj më parë shkoi në IKShPK për të konfirmuar lidhjen e cila bëhej mes qytetarëve dhe laborantit për të përshpejtuar testimet për coronavirus.

Duke u prezantuar se është familjare e një pacienti tjetër, gazetarja kishte arritur të futej brenda dhomës ku merreshin mostrat, pa pasur ndonjë udhëzim ndërsa tutje ishte marrë vesh që rezultati të dal për më pak se 24 orë kurse marrëveshja do të bëhej kur të merrej rezultati.

Në filmimet e transmetuara në KALLXO.com, shihet gazetarja e cila përderisa bisedonte me sigurimin që qëndron para hyrjes në IKShPK kërkon laborantin e quajtur “Betimi”.

“Betimi po më duhet”, pyet gazetarja, “Betimi?”, ia kthen sigurimi, “Po” thotë gazetarja deri sa sigurimi i përgjigjet “Kush po e kërkon?”.

Gazetarja vazhdon dhe i tregon sigurimit se ka biseduar me të në telefon ndërsa vazhdon hyn brenda për të takuar Betimin.

Biseda e transmetuar në hulumtimin e KALLXO.com shfaq se si laboranti nuk i kishte respektuar rregullat dhe e kishte kryer testimin pa ndonjë udhëzim paraprak.

Gazetarja e pyet laborantin “Qysh shkojnë procedurat për me e bo testin?”, ai ia kthen, “kush ju ka dërgu?”, ndërsa gazetarja prapë i përgjigjet se është e afërme e një pacienti tjetër që kishte paguar testin ditë më parë.

Gazetarja dëgjohet duke i thënë laborantit se do të udhëtoj jashtë vendit dhe se i duhet në mënyrë urgjente dhe të përshpejtuar rezultati i testimit për COVID-19.

Laboranti shihet në filmimet e transmetuara se e dërgon gazetaren për t’ia marrë mostrat ndërsa kur përfundon procesi i testimit merren vesh që të takohen të nesërmen për të marrë rezultatin.
Gazetarja: Unë nesër kam me udhëtu.

“A duhem me bo naj sen?” pyet gazetarja ndërsa Betimi përgjigjet “Duhesh me ardhë nesër në ora 10:00 dhe e merr testin”.

Pasi ishin marrë informacionet e para dhe gazetarja me laborantin ishin marrë vesh që të takoheshin për më pak se 24 orë, KALLXO.com kishte mbledhur të gjitha informacionet dhe kishte kërkuar bashkëpunimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Të gjitha filmimet dhe provat e siguruara i ishin dërguar Kryeprokurorit Kujtim Munishi ndërsa ky i fundit kishte filluar themelimi i ekipës hetuese të Departamentit të Krimeve Ekonomike, pasi dyshimet ishin se në IKSHPK ka afera korruptive.

Një ditë më pas, detyra e parë ishte takimi me laborantin nga i cili do të merrej edhe rezultati.

Në pamjet filmike tregohet se punonjësi takon gazetaren e KALLXO.com dhe nuk heziton t’ia japë rezultatin ashtu siç ishin marrë vesh. Pas marrjes së rezultatit kishte nisur diskutimi për pagesën e testimit të përshpejtuar ndërsa laboranti i kishte sugjeruar gazetares të dalin jashtë institutit.

“Q… më ka thënë me të pagu”, i thotë gazetarja laborantit, “hajde jashtë” ia kthen ai deri sa vërehet se për shkak të një gabimi në test duhej ta rregullonte.

“A ki dokumente?” e pyet laboranti gazetaren, “po të gjitha i kam” ia kthen ajo deri sa i jep edhe dokumentin identifikues për të rregulluar gabimin në dokumentin e rezultatit PCR.

Kur kishte përfunduar edhe rregullimi i dokumentit, laboranti dhe gazetarja ishin drejtuar në një dhomë ku merreshin mostrat e testimit.

“I thua asaj doktoreshës, me Q. jemi marrë veshë, na pare nuk marrim”, i thotë laboranti gazetares deri sa kjo ia kthen se nuk ka kohë të shkoj e të blejë çka i kishte kërkuar.

“Ama njeri ku me shku tash me ble?” pyet gazetarja, deri sa laboranti ia kthen se mund të lë edhe paratë.

“Sa pare duhet me i lënë?”, pyet gazetarja, “i kam 10, 20?” vazhdon ajo.

“Qashtu”, përgjigjet laboranti deri sa vazhdon bisedimi mes të dyve për pacientë të tjerë.

“Nëse ndodh dikush me pasë nevojë, a me pru te ti?”, e pyet gazetarja laborantin deri sa ai ia kthen përgjigjen “o, veç njerëz të besueshëm”.

Pas përfundimit të gjithë bisedës me laborantin, gazetarja e kishte sinjalizuar Policinë të cilët ishin brenda Institutit, se paratë ia kishte dorëzuar të dyshuarit.

Policia më saktësisht hetuesit e Departamentit të Krimeve Ekonomike menjëherë kishin ndërmarrë masa dhe e kishin arrestuar të dyshuarin, të cilit paratë e marra i ishin gjetur në xhep.

Më pastaj i njëjti ishte arrestuar dhe më pas ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit për të vazhduar më pas me procedurat tjera ligjore.

https://kallxo.com/lajm/arrestimi-i-laborantit-te-ikshpk-se-per-marrje-te-ryshfetit-live/