Hulumtimi i KALLXO 'Oborri i Devollit' - Rama: Nuk jam në dijeni që ka diçka jashtëligjore

Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, ka thënë se nuk është në dijeni se ka diçka jashtëligjore sa i përket lejeve që janë lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit për Zgjerimin e Qendrës Tregtare “Central Park”, që gjendet në Zonën Industriale të Prishtinës, ku ka aksione edhe biznesmeni Blerim Devolli.

28.12.2024, KALLXO.com ka publikuar hulumtimin ‘Oborri i Devollit’, i cili shpjegon se si Drejtoria e Urbanizmit e Prishtinës ka ndërruar disa herë kushtet ndërtimore duke mundësuar kësisoj zgjerimin e kësaj Qendre Tregtare.

Kryetari i Prishtinës në një Konferencë për media, më 09.01.2025, në pyetjen e KALLXO.com, tha se Drejtoria e Urbanizmit ka lëshuar leje për ndërtim në bazë të Planeve rregullative dhe se të gjitha Vendimet, sipas tij, janë marrë në mënyrë ligjore.

“Sa i përket lejes në ‘Central Park’, unë informatat që i kam Drejtoria e Urbanizmit ka lëshuar leje në bazë të Planeve rregullative. Pra, është mënyra ligjore në bazë të së cilës edhe kanë lëshu lejen. Nuk jam në dijeni që ka diçka jashtëligjore.” – deklaroi Rama.

Oborri i Devollit

Hulumtimi i KALLXO

Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës ka ndërruar disa herë kushtet ndërtimore, Vendime që ia mundësuan bizneseve në të cilat ka aksione Blerim Devolli të zgjerojnë Qendrën Tregtare “Central Park”, që gjendet në Zonën Industriale të Prishtinës.

Leja e parë e ndërtimit për këtë Qendër Tregtare ishte lëshuar bazuar në kërkesën e bërë nga bashkëpronarët: Blerim Devolli, biznesmeni nga Peja dhe kompania “Ndërmarrja e Re Amortizatorët – Ndërtesa e Administratës” dhe kompanisë “Faico Sh.p.k”.

KALLXO.com, pas një hulumtimi disamujor, faktoi se kushtet ndërtimore të caktuara në vitin 2019 që ishin bazë për lejen e lëshuar në vitin 2020, ishin ndryshuar disa herë nga Drejtoria e Urbanizimit. Përmes këtyre Vendimeve ishte ndryshuar sipërfaqja e ndërtimit, por edhe e parcelës dhe në fund është dhënë leja për zgjerim të kësaj Qendre Tregtare.

Për rritjen e sipërfaqes së ndërtimit, tashmë ka një kontest gjyqësor në mes të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pasi kjo e fundit, bazuar në një ankesë të dorëzuar nga grupi i asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës të anulojë Vendimin për Ricaktim të kushteve ndërtimore, që iu mundëson biznesve në të cilat ka aksione Blerim Devolli të zgjerojnë Qendrën Tregtare “Central Park”.

KALLXO.com ka analizuar dhe krahasuar Vendimet që janë marrë për ndërtimin e kësaj Qendre Tregtare dhe në to ka gjetur ndryshime të parcelave e sipërfaqes së ndërtimit, për të cilat në dokumente nuk janë dhënë shpjegime.

Ndryshimi i parë që bie në sy është rritja e sipërfaqes brenda vijës rregulluese. Në Vendimin e datës 18.11.2019 për caktimin e kushteve ndërtimore thuhet se totali i sipërfaqes brenda vijës rregulluese ka qenë 54,484 metra katror në kuadër të parcelës kadestrale 10315-0, e formuar nga bashkimi i parcelave kadastrale 1559-13, 1559-21 dhe 1559-22.

Kurse, në Vendimin për ricaktim të kushteve ndërtimore të datës 28.07.2023 thuhet se sipërfaqja totale brenda vijës rregulluese është 58,707 m2 në kuadër të parcelës kadestrale 10315-0 [e formuar nga bashkimi i parcelave kadastrale 1559-13, 1559-21 dhe 1559-22].

KALLXO.com i ka analizuar dokumentet dhe në Vendimin e 2023-tës nuk është përmendur ndonjë parcelë e re (përveç parcelave që janë përmendur në Vendimin e parë: 1559-13, 1559-21 dhe 1559-22) dhe as nuk janë dhënë shpjegime se nga kanë ardhur këto 42 ari. Kurse në Vendimin e fundit nuk është shkruar fare se sa është sipërfaqja brenda vijës rregulluese.

Pra, që nga viti 2023 në Vendimet për ricaktim të kushteve ndërtimore figuron sipërfaqja 58,707 m2, që është më e madhe për 4,223 metra katror apo rreth 42 ari – krahasuar më atë të vitit 2019.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prishtinës dhe nga investitori për këta 42 ari shtesë në sipërfaqen totale dhe bashkimin eventual të ndonjë parceleje tjetër.

Investitori nuk është përgjigjur në tri palë pyetjet e dërguara më 27.08.2024, 19.11.2024 dhe më 11.12.2024.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.