Hulumtimi i KALLXO.com, reagon Prokuroria - autorizon Policinë të hetojë angazhimin e dyshimtë të ekspertëve mjekoligjor

Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas hulumtimit të KALLXO.com, sot ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës, që të fillojë hetimet për angazhimin e dyshimtë të ekspertëve mjekoligjor në Prokurorinë e Gjilanit.

Sipas hulumtimit të KALLXO.com, një varg lëndësh të gjykuara në Gjilan mund të hedhen poshtë për shkak se prokuroria e Gjilanit i ka angazhuar ekspertët mjekoligjor në kundërshtim me ligjin.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me kryerjen e ekspertizave nga ekspertët e angazhuar mjeko-ligjor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave.

Më herët, edhe Ministria e Drejtësisë ka reaguar duke cilësuar se një veprim i tillë e dëmton funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe cenon liritë dhe të drejtat e palëve në procedurë.

KALLXO.com ka zbuluar se doktorë, kirurgë dhe ortopedë në Komunën e Gjilanit po angazhohen nga Prokuroria Themelore në Gjilan si ekspert mjekoligjor në kundërshtim me ligjin pasi nuk kanë të përfunduar specializimin e mjekësisë ligjore.

Ata pranojnë aktvendime për kryerjen e ekspertizave nga ana e prokurorëve të Gjilanit, marrin qasje në dosjet penale dhe kryejnë ekspertiza mjeko-ligjore edhe pse nuk janë pjesë e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Dyshime se Prokuroria e Gjilanit i angazhon ekspertët në kundërshtim me ligjin