
Hulumtimi i KALLXO.com - Prokuroria tregon se çfarë gjeti në zyrën e Kryeshefit të KRU "Gjakova"
Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Operacioni policor i sotëm, më 18.03.2025, ndodhi pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com për kurdisje të tenderit.
[Shënim i datës 20.03.2025]: Operacioni policor i datës 18.03.2025 lidhet me rastin e blerjes së një varke nga KRU ‘Gjakova’, hulumtim, për të cilin po ashtu kishte shkruar KALLXO.com.
Prokuroria Speciale njofton se janë kontrolluar/bastisur objekti i banimit të personit të dyshuar dhe zyra e tij në KRU “Gjakova”, ku janë siguruar dëshmi dhe prova materiale që ndërlidhen me rastin. Me këtë rast janë sekuestruar: një laptop, një telefon mobil Samsung Galaxy S22, para (22.205,00 euro), barka Ranier Wit dhe dy Kontrata që ndërlidhen me rastin.
“Prokurori i rastit brenda afatit ligjor do të vendosë për masën e sigurisë së pranisë së të pandehurit në procedurë.” – ka njoftuar Prokuroria.
Më 09.03.2025, KALLXO.com ka publikuar disa audio-incizime në të cilat pretendohet se kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi flet për negocim Kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e biznesmenëve, të cilët do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes.
Ai dëgjohet duke thënë se ka shkuar te dy Kompani për t’u kërkuar që të ofrojnë vetëm dokumentacionin për nënshkrimin e Kontratës, ndërsa punët do t’i kryente dikush tjetër.
Gjithashtu, Krasniqi dëgjohet duke thënë para stafit të tij se “Unë do të zgjedh Kompaninë” – në lidhje me tenderin për servisimin e veturave të Kompanisë.
Hulumtimin e plotë mund ta gjeni në këtë link:
Shënim: Artikulli është edituar më 20.03.2025, ora 13:30, në ditën kur ishte mbajtur seanca gjyqësore për caktimin e masës së paraburgimit. Në kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit, arrestimi dhe dyshimet mbi Hasan Krasniqin lidhen më një rast tjetër, me hulumtimin e KALLXO.com, për rastin e blerjes së një varke nga KRU ‘Gjakova’ e cila ishte e padoganuar dhe ishte blerë nga një që u hap një muaj para se të fitonte tenderin. Më poshtë mund ta lexoni hulumtimin e plotë për rastin e blerjes së varkës.
KRU “Gjakova” bleu barkën e padoganuar nga kompania që u hap një muaj para se të fitonte tenderin