Prokurorja Ervehe Gashi, Foto: KALLXO.com

Hulumtimi i KALLXO.com për “Pazaret me Hetimet”, prokurorja Ervehe Gashi në konferencë

Prokurorja e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren, Ervehe Gashi gjatë ditës së sotme ka mohuar të gjitha pretendimet se ka qenë e përfshirë në rastin e hulumtuar nga KALLXO.com me titull “Pazaret me Hetimet”.

Ajo në një konferencë për media, lexoi gjithë kronologjinë e hetimit të rastit ku të dyshuar kanë qenë Dardan e Sadik Hoxhaj, hetim ky i cili përfundoi me aktakuzë nga prokurorja Gashi.

Gjatë konferencës, Gashi tha se emisioni ka qenë i anshëm, ndonëse gjatë hulumtimit KALLXO.com kishte kontaktuar me të gjitha palët që ishin të përfshira në rast, ndonëse nga disave prej tyre, nuk kishte marrë përgjigje për intervistim.

Madje Prokurores Ervehe Gashi, KALLXO.com, përveç pyetjeve të parashtruara përmes emailit, i kishte kërkuar edhe intervistë të incizuar me kamerë.

“Emisioni ka pasur përmbajtje të manipuluar. Për ata që e kanë shikuar dhe ata që nuk e kanë shikuar, para jush do të shpalosi atë që është e vërtetë dhe nuk është thënë në emision”, filloi konferencën per media prokurorja Gashi, duke zgjedhur që këtë ta bëjë në Prishtinë, ndonëse ajo jeton në Prizren.

Madje Gashi tha se është detyruar të dalë në konferencë pasi nuk ka pasur përkrahje nga Prokuroria në Prizren dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Meqenëse Sistemi Prokurorial, përfshirë këtu edhe Prokurorinë në Prizren, KPK nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të mbrojtur integritetin tim si prokurore, jam e detyruar që mbrojtjen time ta bëj vet. Unë çmoj punën e gazetarëve, jam e detyruar të reagoj në këtë rast që e vlerësoj fuqishëm që nuk ka përmbushur standardet minimale për raportim të paanshëm e të drejtë”, shtoi ajo.

Tutje ajo vazhdoi të tregoj kronologjinë e rastit që kishte hetuar për Dardan Hoxhajn dhe babain e tij Sadik Hoxhaj.

“Ky rast është shqyrtuar në shqyrtim publik. Me përgjegjësi të lartë po ju tregoj se kur kam pranuar këtë lëndë nuk kam pasur njohuri se persona të caktuar, kanë dhënë apo marrë ryshfet për mbylljen e kësaj lënde. Kam trajtuar në mënyrë të drejtë këtë lëndë, ku është ngritur edhe aktakuzë”, tha Gashi.

Ajo përmendi edhe kontaktin që pati me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala pas publikimit të emisionit “Hetimet me Pazaret” në KallxoPernime.

“Kam kërkuar nga Kryeprokurori im Admir Shala, që të më dalë në mbrojtje por i njëjti më ka thënë se është në pushim dhe këtë punë do ta diskutojnë të hënën, por kjo punë nuk pret”, ka thënë ajo.

Në konferencë, prokurorja Gashi, ka gjetur hapësirë t’i përgjigjet edhe ministrës së Drejtësisë Albulena Haxhiut, e cila natën e transmetimit të emisionit “Hetimet me Pazaret”, ka komplimentuar gazetarët e KALLXO.com për punën dhe hulumtimin e rastit, duke konsideruar se emisioni është edhe një dëshmi shtesë se përse në Kosovë duhet të filloj procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë. Kësaj paraqitjeje publike të ministrës Haxhiu në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, i është kundërvënë prokuroja Gashi.

“Unë jam e gatshme t’i përmbahem vettingut e nderuar ministre e Drejtësisë”, tha Gashi.

Prokurorja Gashi, tha se nuk po mbrohet as nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Madje, ajo konsideroi se ky institucion po e persekuton.

“Fatkeqësisht KPK në vend që të më mbroj, po më persekuton. Nëse Ervehe Gashi dhe familja e saj duhet të bëhet kurban, filloni nga unë. Por kjo qasje nuk garanton pastrim të sistemit prokurorial”, tha ajo.

Ndryshe, për hulumtimin e KALLXO.com, kishte reaguar edhe Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumezi.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore para se të paraqitet në publik hulumtimi i “Kallxo.com”-it, i publikuar mbrëmë më datën 07.04.2021, lidhur me pretendimet se janë dhënë “5 mijë euro për ta mbyllur lëndën në Prokurori””, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit.

Gashi, ka folur edhe për burrin e saj Bajram Gashin, i cili është njëri nga të përfshirët në hulumtimin e KALLXO.com. Edhe për të ka thënë se po persekutohet.

“Burri im ka punuar dhe punon në arsim. Ai ka kontribuar në arsimin në Kosovë dhe shpërblimi që po e merr prapa, është ky persekutim dhe degradim që po merr”, shtoi prokurorja Gashi.

Prokurorja Ervehe Gashi ani pse nuk kishte pranuar që të intervistohej me kamerë nga autori i emisionit “Hetimet me Pazaret”, Kreshnik Gashi, ky i fundit i drejtoi disa pyetje prokurores në konferencë.

“Unë nuk ju përgjigjem më juve, i keni pasur përgjigjet e mia”, iu drejtua prokurorja Gashi autorit të emisionit Kreshnik Gashit.

Për disa minuta me radhë, prokurorja Gashi ka qëndruar e heshtur në konferencën për media të cilën e kishte thirrur vetë. Ajo nuk kishte përgjigje në asnjë nga pyetjet e shumta që iu bënë nga gazetari hulumtues dhe autor i emisionit Kreshnik Gashi.

Në konferencë u krijua një gjendje interesante, pothuajse e papresedan, pasi thirrësi i konferencës nuk deshi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarit Kreshnik Gaashi, siç bëri prokurorja Ervehe Gashi, e të cilat ishin pyetje bazike në funksion të rastit në të cilin implikohet emri prokurorës.

Porse, prokurorja Gashi, pranoi që burri i saj është duke u hetuar nga ana e Prokurorisë Speciale së bashku me Dardan e Sadik Hoxhajn.

“Kam kërku nga Prokuroria Speciale që të më trajtoj si të dëmtuar dhe kam kërkuar që të ekzaminohet edhe video incizimi. Nuk kam informacione nëse është ekzaminuar”, tha ajo.

Pasi iu parashtrua pyetja nëse zbulohet se video incizimi ka qenë pa ndonjë prerje apo censurim, prokurorja Gashi, tha se për të gjitha pastaj nëse vërtetohen do të përgjigjet burri i saj.

“Unë për takime nuk kam qenë në dijeni. Jam njoftuar kur jam thirr si dëshmitare nga Prokuroria Speciale”, tha Gashi.

Ajo iu përgjigj edhe pyetjes për njohjen me Rizam Hoxhën.

“E njoh Rizam Hoxhën si figurë në Prizren. Burri im, ka ndoshta 3 vite, që nuk ka raporte me të. Nuk ka ndonjë lidhje familjare. Arsyeja që i ka ndërprerë raportet është momenti që ka kuptu se momenti i takimit”, ishte përgjigja e prokurores.

Gashi u pyet edhe pse nuk kanë raportuar kërcënimet apo shantazhet që i përmendte vet gjatë konferencës që kishte marrë nga ato video – incizime.

“Djali nuk më ka treguar asgjë dhe kur e kam pyetur djalin më ka thënë se nuk më ka treguar për shkak të gjendjes time edhe shëndetësore që kam pasur, por edhe për shkak të ngarkesës në punë. Unë gjithë i kam këshillu fëmijët e mi dhe burrin tim, që të rrinë larg njerëzve që të mos pranojnë njerëz në takime apo shtëpi. Fëmijët u janë përmbajtë këshillave edhe bashkëshorti gjithashtu, por është problemi se në atë takim bashkëshorti im ka shkuar me pyet për kanosje, sepse deri në atë moment ai nuk e ka ditë që është duke u diskutuar se dikush ka marrë borxh. Takimi i parë është kur janë mbledh burrat”, vazhdoi ajo.

Prokurorja Gashi tha se nuk ka marrë mbështetje as nga Shoqata e Prokurorëve.

“Shoqatën e Prokurorëve e pyetni ju, edhe po e pyes edhe unë, pse nuk kanë reaguar?. Kurban po them se mund të bëhem, sepse Ministria e Drejtësisë ka reaguar gjatë kohës së emisionit dhe nuk ka prit edhe palën tjetër”, shtoi ajo.

Hulumtimi i KALLXO.com:

Dardan Hoxha nga Prizreni ka denoncuar në emisionin “Kallxo Pernime” njërën nga aferat e mëdha të keqpërdorimeve në rajonin e Prizrenit.

Dardani, një i dënuar për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, ka rrëfyer në emision se ka paguar mbi 5 mijë euro mito, para këto të cilat, sipas tij, i janë kërkuar për të lehtësuar lëndën në Prokurorinë e Prizrenit.

Dosja e tij, sipas hulumtitit të KALLXO.com, ishte hetuar nga prokurorja Ervehe Gashi, ndërsa Dardani ka filmuar një moment kur i dorëzon rreth 5 mijë euro në dorë të Rizam Hoxhës, një mik i burrit të prokurores që po e hetonte rastin.

“Rizami m’i ka kërkuar paratë në emër të Bajram Gashit që është burri i prokurores Ervehe Gashi”, ka rrëfyer Hoxha.

Prokurorja Gashi ka thënë se nuk ka të bëjë asgjë me këto trasanksione dhe se nuk ka qenë e njoftuar për këto diskutime.

Filmimi i cili është shfaqur gjatë emisionit shfaq Dardanin duke i numëruar paratë dhe duke i futur ato në një zarf. Tutje Rizam Hoxha, personi që i pranon paratë, kryen një telefonatë në të cilën ai dëgjohet duke caktuar një takim me një person që sipas Dardanit ishte burri i prokurores Ervehe Gashi.

Dardani në atë kohë ishte duke u ndjekur penalisht nga prokurorja Gashi ndërsa pjesë e hetimit ishte edhe babai i tij, Sadik Hoxha.

Takimi kur ishin dorëzuar paratë kishte ndodhur në gusht të vitit 2017, kohë kjo kur babë e bir ishin liruar nga paraburgimi.

Personi që i pranon paratë është Rizam Hoxha, një mik i Bajram Gashit, burrit të prokurores Ervehe Gashi. Miqësia në mes Gashit e Hoxhës është konfirmuar nga vetë Bajram Gashi në një përgjigje me shkrim që e ka dhënë për emisionin.

Pas dorëzimit të parave Dardani ka rrëfyer se babai i tij, Sadik Hoxha, ishte takuar me burrin e prokurores Ervehe Gashi në shtëpinë e vikendit të këtij të fundit.

Takimi kishte ndodhur në kohën kur prokurorja ishte duke e hetuar rastin dhe Sadik Hoxha ishte pjesë e hetimit penal në këtë dosje.

Sadik Hoxha ka rrëfyer se gjatë kohës kur ai ishte duke u hetuar ishte takuar dy herë me burrin e prokurores për të diskutar për lëndën.

“Në takime kemi diskutu për lëndën”, ka rrëfyer Sadiku.

Sipas tij takimet ishin aranzhuar nga Rizam Hoxha, personi që shihet në pamje duke e pranuar zarfin me para.

Takimet janë konfirmuar edhe nga burri i prokurores Gashi.

Bajram Gashi në një përgjigje ka thënë se takimi ishte caktuar nga Rizam Hoxha mirëpo sipas Gashit ai e kishte njoftuar se nuk mund të kryente punë.

“Ju kam bërë të qartë që nuk mund t’i ndihmoj asgjë”, ka thënë Gashi në një përgjigje me email për emisionin.

Ai ka thënë se për këtë takim nuk e kishte njoftuar gruan.

Në rrëfimin e tij Dardan Hoxha ka thënë se ky takim kishte ndodhur një natë para se prokurorja të jepte fjalën përfundimtare moment ky kur Prokuroria grumbullon provat dhe i paraqet para Gjykatës.

“Kur kemi shku në Gjykatë nuk na e kanë hjekë asnjë vepër”, ka rrëfyer Hoxha.

Hulumtimi zbardh takime të tjera në mes burrit që mori paratë, Rizam Hoxha dhe familjes së Dardanit.

Ky i fundit ishte dënuar me burg nga Gjykata e Prizrenit ndërsa pas këtij momenti Dardani kishte nisur të kërcënonte se do i publikonte materialet filmike ku ai i dorëzonte paratë.

Të dhënat tregojnë që në këtë kohë ishte organizuar një takim në mes Bajram Gashit,Rizam Hoxhës, Sadik Hoxhës dhe Dardan Hoxhës.

Në këtë takim, i cili është filmuar, ka pasur biseda interesante ku janë përmendur dorëzimi i parave ndërsa në disa momente Bajram Gashi ka përmendur se mund ta denoncojë Dardanin për shantazh dhe kërcënim.

Në rrëfimin e tij Dardan Hoxha pretendon se në këtë takim kishte marrë zotim nga Bajram Gashi që nëse rasti nuk do shkonte tutje prokurorja nuk do bënte ankesë.

“Më ka thënë që nëse nuk i kërkon kryeprokurori prokurorja nuk bën ankesë”, ka thënë Hoxha.

Ai për këtë çështje ka paraqitur një video-incizim nga ai takim ku Bajram Gashi dëgjohet duke përmendur ankesën dhe mundësinë që kryeprokurori t’ia kërkonte këtë prokurores Gashi.

Në bisedë Gashi përmend edhe dënimet që Rizam Hoxha do i merrte në rast se do dërgohej ky rast në prokurori e po ashtu dënimet që Dardan Hoxha do i merrte në rast se ai do denoncohej për kërcënim.

“Ky pesë e ti tri”, dëgjohet duke thënë Gashi.

Ai madje dëgjohet duke thënë se këtë denoncim nuk po e bën për shkak se po i dhimbset Dardanit.

I pyetur për këtë takim Bajram Gashi nuk e ka mohuar takimin me dy personat e dënuar nga akuza e ngritur nga gruaja e tij.

Ai ka thënë se këtë takim e kanë realizuar për të sqaruar disa kërcënime ndaj familjes së tij ndërsa thotë se përmendjen e dënimeve e kishte bërë për ta paralajmëruar Hoxhën për t’i ndaluar kërcënimet.

Në të tërë këtë histori prokurorja Ervehe Gashi ka thënë se nuk ka ditur asgjë për këtë rast.

“Për mua lënda është përfunduar siç duhet dhe personi është dënuar me aktakuzën time”, ka thënë Gashi.

Ajo ka thënë se nuk ka qenë e njoftuar për këto takime dhe për mundësinë që për dosjen të jenë paguar paratë. Ajo madje ka thënë që as burri i saj nuk e kishte njoftuar për këtë ngjarje.

Emisioni “Kallxo Pernime” ka tentuar ta kontaktojë edhe me Rizam Hoxhën, personin që apostrofohet në këtë ngjarje, mirëpo ai ka qenë i paarritshëm.

Dosja me materialet e transmetuara është pjesë e një hetimi  në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe hetimet janë duke u zhvilluar me një intensitet të lartë.

 

Ministrja e Drejtësisë reagon pas hulumtimit të KALLXO.com, premton masa ndaj këtij “skandali të madh”

Reagon Kryeprokurori i Shtetit pas hulumtimit të KALLXO.com për ‘Pazaret me hetime’