Foto: KALLXO.com
Hulumtimi i KALLXO.com, del në gjyq personi i akuzuar se tentoi ta vriste ish-vjehrrin
I akuzuar për vrasje në tentativë babait të ish-bashkëshortes së tij dhe për armëmbajtje pa leje, Omer Muhameti është ulur në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prizrenit.
Aktakuza ndaj Omer Muhametit u ngrit pak ditë pasi KALLXO.com publikoi hulumtimin që fliste për plagosjen në Dragash.
Këto fjalë dëgjohen duke i thënë Omer Muhameti sipas një video-incizimi, të cilin e kishte siguruar Kallxo.com.
Ndërsa, gjatë seancës së ditës së sotme, 26.07.2024, në Gjykatën e Prizrenit, prokurori Mehdi Sefa lexoi aktakuzën.
I akuzuari pas leximit të aktakuzës e pranoi fajësinë për veprat penale të cilat i vihen në barrë.
Gjykata aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, dhe më pas palët dhanë fjalët përfundimtare.
Gjatë seancës prokurori tha se pavarësisht pranimit të fajësisë, Prokuroria kërkon që dënimi të jetë në proporcion me peshën e veprës penale ashtu që do ketë efekt në parandalimin e kryerjes së veprave të tjera penale nga i akuzuari dhe të tjerë.
Tutje, prokurori deklaroi se prej të dhënave të Policisë që i posedon, e që janë edhe pjesë e shkresave të lëndës, figuron se që nga viti 2005 e deri në ditën kritike i akuzuari ka kryer 40 vepra penale të regjistruara në databazën e Policisë dhe po ashtu ka kryer edhe shumë kundërvajtje.
Andaj, ai kërkoi nga Gjykata që të ketë parasysh edhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Ndërsa, përfaqësuesi i të dëmtuarit Kadri Qusaj, avokati Naim Kurtishi, deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën e prokurorit. Me deklaratën e të cilit u pajtua edhe i dëmtuari Kadri Qusaj.
I dëmtuari Kadri Qusaj shtoi se nuk është dashur që kjo të ndodhë në ditën kritike, ngase si prind i ish-bashkëshortes të këtu të akuzuarit ka qenë i mendimit që procedura civile të përfundojë me një marrëveshje mes bashkëshortëve.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokat Xheladin Osmani, kërkoi nga Gjykata të marrë parasysh rrethanat lehtësuese për zbutjen e dënimit, duke i propozuar Gjykatës dënim sa më të butë pasi sipas tij i akuzuari Omer Muhameti ka dhënë fjalën se nuk do të përsërisë vepra të tilla në të ardhmen.
Gjatë seancës u shpreh edhe i akuzuari Omer Muhameti, i cili deklaroi se pajtohet me mbrojtësin e tij në tërësi, po ashtu shtoi se para trupit gjykues dhe prokurorit të shtetit publikisht dhe shpirtërisht i kërkon falje të dëmtuarit Kadri Qusaj dhe familjes së tij. Po ashtu, ai premtoi se nuk do të përsëritet asnjë veprim kundërligjor në dëm të familjes Qusaj.
Kujtojmë që Prokuroria kishte ngritur aktakuzë më 21.05.2024 ndaj të pandehurit Omer Muhameti për shkak se më 26.04.2024, rreth orës 11:00, para Gjykatës në Dragash, tenton të privojë nga jeta të dëmtuarin Kadri Qusaj.
E kjo pretendohet se kishte ndodhur pas një mosmarrëveshjeje paraprake në Gjykatë që kishte vajza e tij H. Qusaj me të pandehurin Omer Muhameti lidhur me besimin e kujdestarisë për fëmijën e tyre.
Gjithnjë sipas aktakuzës bëhet e ditur se i akuzuari e kërcënoi të dëmtuarin Kadri Qusaj – babanë e ish-bashkëshortes së tij, në seancë gjyqësore me fjalët: “Si të dalësh jashtë nga gjykata unë kam me të vra me të gjallë e të vdekur dhe ty plumbin kam me ta lënë në ballë”.
Ndërsa, pas ndërprerjes së seancës gjyqësore nga kërcënimet e vazhdueshme që i ka bërë palëve para gjykatës, i akuzuari shkon e merr pistoletën të cilën e kishte në automjet, dhe posa e sheh të dëmtuarin Kadri Qusaj, i gjendur në automjetin e tij, në afërsi te parkingut të Gjykatës del prej automjetit dhe ka shtënë tri herë drejt të dëmtuarit.
Si pasojë e të shtënave, të dëmtuarit i ka shkaktuar dëmtime të rënda trupore – plagë hyrëse dhe dalëse.
E me këto veprime pretendohet se e ka kryer veprën penale – vrasja në tentativë.
Ndërsa, ai akuzohet edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje, të kryet në të njëjtën ditë dhe të njëjtën kohë.
Në seancën e radhës, që do të mbahet më 30.07.2024, do të shpallet aktgjykimi.
Lidhur me rastin në fjalë raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë – LINK.