Hulumtimi i KALLXO.com: Bordi i Drejtorëve i KRU "Gjakovës" i jep vërejtje verbale kryeshefit Hasan Krasniqi
Bordi i Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” ka lëshuar një “vërejtje verbale” për kryeshefin e Ndërmarrjes, Hasan Krasniqi dhe personelin e menaxhmentit të Ndërmarrjes, pas publikimit të audio-incizimeve nga KALLXO.com, që implikojnë kryeshefin Krasniqi në një tender të Ndërmarrjes.
KALLXO.com, më 09.03.2025, ka publikuar disa audio-incizime në të cilat dëgjohet kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim Kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë Kompaninë për të nënshkruar Kontratën, për një tender për servisimin e veturave.
Në mbledhjen e mbajtur më 12.03.2025, Bordi i KRU “Gjakova” ka kërkuar po ashtu një auditim të jashtëzakonshëm të tenderit, nga ana e Auditimit të Brendshëm të Ndërmarrjes.
Anëtarë të Bordit të Drejtorëve të KRU “Gjakova” janë: Urim Gashi (kryesues) dhe Arianeta Nura, Vildane Maloku, Fortuna Haxhikadrija, Armend Behluli dhe Faton Osmani (anëtarë).
“Bordi i Drejtorëve ka shprehur shqetësim lidhur me këtë aktivitet të Prokurimit nga ana e Menaxhmentit dhe ka lëshuar një vërejtje verbale për Kryeshefin Ekzekutiv dhe personelin e Menaxhmentit të Ndërmarrjes.” – thuhet në njoftim.
“Bordi i Drejtorëve komform kompetencave ligjore përmes Komisionit të Auditimit kërkon që menjëherë nga Zyra e Auditimit të Brendshëm të kryhet auditim i jashtëzakonshëm profesional, i pavarur dhe gjithëpërfshirës – lidhur me këtë aktivitet të Prokurimit.”
Në ndërkohë pas hulumtimit të publikuar në emisionin Kallxo Përnime, Prokuroria Speciale zyrtarisht ka filluar hetimet për rastin në fjalë.
Kurse, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka urdhëruar KRU “Gjakovën” që të shfuqizojë Kontratën me Kompaninë Am-Bur, pasi ka konstatuar se KRU “Gjakova” ka nënshkruar Kontratën – duke pasur Ankesë aktive në OSHP; duke mos pritur afatin ligjor për Ankesa.
Incizimet që janë publikuar në emisionin Kallxo Përnime dëshmojnë se kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi e ka pranuar para stafit të tij se i ka dhënë instruksione shoferit të tij, Valon Gunga për të dalë dhe për të gjetur Kompani që servisojnë makina.
Ai dëgjohet po ashtu duke thënë se ka shkuar te dy Kompani për t’u kërkuar atyre që të ofrojnë vetëm dokumentacionin për nënshkrimin e Kontratës, ndërsa punët do t’i kryente dikush tjetër.
Gjithashtu, Krasniqi dëgjohet duke thënë para stafit të tij se “Unë do të zgjedh Kompaninë” – në lidhje me tenderin për servisimin e veturave të Kompanisë.
“Jam shku te N.R., edhe te Xh., se Nita më tha. Unë vetë personalisht… I thashë: ‘A ka bre mundësi me na dhonë dokumentet, licensën, veç me e bo një Kontratë? Nuk ke me i servisu ti kerret. Nëse don me i servisu, servisoji’.” – dëgjohet një audio-incizim kryeshefi Krasniqi; duke treguar se si ka shkuar te një Kompani e caktuar për t’i kërkuar vetëm dokumentacionin për nënshkrimin e Kontratës.
“Jam shku…, i kam thënë djalit të vet: ‘A po na jep vetëm të drejtën se je Kompani dhe faturimet dalin kah ti?’ Më ka thënë: ‘Drejtor, më vjen keq. Nuk du me e ngarku Kompaninë. Është e ngarkume. Çdo faturë ma kanë lypë…’ (nuk kuptohet), kontabilisti, hymja, dalja (nuk kuptohet)… ‘Nuk po du me e ngarku Kompaninë’.” – dëgjohet Krasniqi.
KALLXO.com ia ka dërguar këto audio-incizime Krasniqit dhe ai ka konfirmuar vërtetësinë e tyre.
Hulumtimi dëshmon se pas këtij procesi Kontrata u nënshkrua me një Operator Ekonomik, ndërsa servisimi i makinave në realitet po kryhet në Kompaninë që e drejton vëllai i negociatorit, Valon Gunga. Pra, te Kompania 4G Auto, në pronësi të Dukagjin Gungës.
Dosja tregon që KRU “Gjakova” ka hapur një tender emergjent për servisimin e veturave në vlerë prej 50 mijë eurosh.
Në këtë tender ftohen për të ofertuar dhe negociuar tri Kompani: Kompania me emrin Te Beka, Kompania Top Group dhe Kompania AM-Bur.
Në fund, Kontrata nënshkruhet me Kompaninë me emrin AM-Bur, me pronar Sulejman Burjani.
Kontrata është nënshkruar më 29 nëntor 2024. Vlera e saj është mbi 29 mijë euro dhe vlen për 5 muaj.
Menaxherë të Kontratës nga ana e KRU “Gjakovës” janë përcaktuar: Blin Rudi e Besnik Kusari, si inxhinierë në KRU “Gjakova” dhe Valon Gunga, shofer.
Gunga është shofer i Kryeshefit dhe ai ishte ngarkuar për ta mbikëqyrur Kontratën.
Më 03.03.2025, KALLXO.com ka gjetur se në autoservisin e familjes Gunga ishin duke u servisuar dy vetura zyrtare të KRU “Gjakova”.
Pra, punët i kryente Dukagjini. Ato ia miratonte vëllai i tij, Valoni, si menaxher i Kontratës, ndërsa paratë i paguhen Sulejman Burjanit, i cili është pronar i Kompanisë AM-Bur.