Hulumtimi i KALLXO.com, Agjencia Kundër Korrupsionit heton Nasim Haradinajn për mosdeklarim të biznesit

Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar hetimet për mosdeklarim të biznesit kundër ish-drejtorit të Bujqësisë në Komunën e Deçanit, Nasim Haradinaj.

Hetimet nisën pasi në qershor të vitit 2019 KALLXO.com kishte raportuar se nënkryetari i OVL-UÇK-së nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit biznesin “West Investigation & Advisory L.L.C”, në të cilin ishte aksionar.

Lajmin se Nasim Haradinaj është duke u hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit e ka konfirmuar Lumnije Demi nga AKK.

Demi ka thënë se rasti i Haradinajt është dërguar në Departamentin për luftimin e korrupsionit të AKK.

“Informacionin për mos deklarim të pasurisë të paraqitur kundër zyrtarit Nasim Haradinaj është bartur në Departamentin për luftimin e Korrupsionit AKK ( hetime)”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Në lidhje me fillimin e këtyre hetimeve, KALLXO.com ka kontatkuar me ish-drejtorin Nasim Haradinaj.

Haradinaj ka thënë për KALLXO.com se Agjencia Kundër Korrupsionit është duke u marrë me përralla.

“Agjencia qenka tuj u marrë me përralla. Unë s’kam ma obligim me e deklaru pasurinë, kështu që koka kah ia fut kot. Unë i kam kry ato gjëra. Këto i kanë mbi një vit, le të vazhdojnë hetimet gjithë ditën dhe gjithë natën. S’e kam ma asnjë obligim me deklaru, janë mbrapa ata”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai shtoi se gjatë vitit të kaluar e ka deklaruar të gjithë pasurinë.

“I kam deklaru vitin e kalum komplet, ajo firmë është shu, vonë u paska dalë gjumi atyre. Le të këqyrin diçka tjetër. Unë s’e paskna pa atë deklarim. Para 1 viti unë kam deklaru dhe kam tregu që është shu ai biznes. Uroj që AKK të jenë ma azhur dhe jo një shekull vonë”, tha Haradinaj.

Hulumtimi i KALLXO.com, i publikuar në qershor të vitit 2019 kishte gjetur se Nasim Haradinaj nuk e kishte deklaruar biznesin të cilin e kishte bashkë me Rrahim Hashimin.

Aktiviteti i këtij biznesi ishte këshillimi për biznese dhe këshillat e tjera për menaxhim.

Rast të ngjashëm sikurse Nasim Haradinaj kishte edhe një zyrtare tjetër.

Fjala është për ish-këshilltaren e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, Meliza Haradinaj.

KALLXO.com kishte raportuar se Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit biznesin që e ka regjistruar në Londër.

Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyrë në “108 Woolmead Avenue” në Londër.

Në lidhje me këtë rast Prokuroria kishte ngritur aktakuzë kundër Meliza Haradinaj –Stubllës dhe për këto akuza e njëjta ishte shpallur fajtore nga Gjykata e Prishtinës dhe ishte dënuar me 8 muaj burgim me kusht.

Fshehja ose mosdeklarimi i pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit është vepër penale.