Aksioni ne veri - 28.05.2019

Hulumtimi i emisionit "Drejtësia në Kosovë", aktakuzë edhe kundër 33 personave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë edhe kundër 33 personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit, kontrabandë me mallra dhe armëmbajtje pa leje.

Kjo është aktakuza e dytë e ngritur nga Prokuroria Speciale pas hulumtimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë“ për kontrabandën në  veri të Kosovës.

Aktakuza tjetër ishte ngritur në muajin e kaluar kundër 6 policëve dhe dy kontrabandistëve.

Në janar të vitit 2019 Drejtësia në Kosovë transmetoj filmimet ku në dy pika të karburanteve dhe në një dyqan mallrash në Leposaviç rrjeti i policëve pranonin deri në 200 euro për të mundësuar rrugë të lirë për kamionët e kontrabandës. Në link shih dorëzimin e parave.

Duke bashkëpunuar me disa qytetar serb të zonës ekipi kishte arritur të faktonte se kontrabandistët kontaktonin në telefon me shefat e ndërrimeve të Policisë Kufitare dhe nga ta u garantohej rruga e lirë për kontrabandës. Pjesë e raportimit ishte edhe transmetimi i pamjeve nga rrugët ilegale ku dhjetëra kamion të kontrabandës futeshin në Kosovë.

Në link shih kamionët duke qarkulluar.

Hetimet e Policisë Kufitare dhe IPK-së kishin rezultuar me operacionin e majit 2019, ku disa policë ishin arrestuar ndërsa gjatë operacionit një polic ishte plagosur.

Hulumtimin e emisionit “Drejtësia në Kosovë” mund ta ndiqni në këtë link.

Po ashtu, hulumtimi për kontrabandën u shfaqe në tri emisione, të dytin mund ta gjeni këtu dhe të tretin në këtë link.

Kjo është aktakuza e ngritur sot kundër 33 të dyshuarve.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës në Prishtinë kundër 33 personave me inicialet Z.S., B.N., A.H., A.M., M.M., O.K., R.M., D.S., D.K., J.S., Z.B., B.M., A.P., Z.R., K.S., R.K., V.T., B.T., L.V., B.M., B.L., N.G., I.J., J.M., M.J., N.B., N.J., S.I., Xh.J., A.I., B.U., B.M. dhe F.I. për veprat penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrja e ryshfetit, kontrabandë me mallra dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit Z.S., B.N., M.M., A.M dhe A.H.  që nga viti 2017 e deri në muajin maj të vitit 2019, në vazhdimësi, në bashkëkryerje edhe me të pandehurin D.V., i cili gjendet në arrati , në cilësinë e personave  zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje nuk kanë kryer detyrat e përcaktuara me ligj  dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Të lartcekurit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe autorizimet duke lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike, dhe mallra ushqimore nga Serbia për në Republikën  e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare duke  mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar, ashtu që ju kanë mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm të pandehurve D.I., B.R., D.D., M.R., M.R., Z.V dhe personave të tjerë si transportues të mallrave duke i’u shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit të mallrave, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit  të Republikës së Kosovës. Me këto veprime të pandehurit në vazhdim dhe bashkëkryerje kanë kryer veprat penale- keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu, të pandehurit në të njëjtën periudhë kohore, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje në cilësinë e  personave zyrtarë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror,  kanë marrë – pranuar para,  në atë mënyrë që ata si persona zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë, në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nga të pandehurit D.I., B.R., D.D., M.R., M.R., Z.V dhe personave të tjerë si transportues të mallrave, për kalimin e automjeteve me mallra duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit të mallrave,  kanë pranuar – marrë shuma të ndryshme të parave për të vepruar  në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare. Me këto veprime të pandehurit në vazhdim dhe bashkëkryerje kanë kryer veprat penale -marrja e ryshfetit.

Të pandehurit O.K., R.M., D.S., D.K., J.D., Z.B., B.M dhe A.P. që nga viti 2017 e deri në muajin maj të vitit 2019, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje nuk kanë kryer detyrat të përcaktuara me ligj dhe nuk i kanë përmbushur  detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë  çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që i pandehuri O.K. në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit, dhe të pandehurit R.M., D.S., D.K., J.D., Z.B., B.M., A.P., në cilësinë e policëve patrollues në kuadër të ndërrimit ”B”, të SPMK në Zubin Potok, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe autorizimet duke lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia për në Republikën  e Kosovës dhe anasjelltas, ashtu që iu kanë mundësuar përfitimin pasuror të kundërligjshëm të pandehurve D.I., B.R., D.D., M.R., M.R., Z.V. dhe personave të tjerë si transportues të mallrave, duke i’u shmangur  kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit të mallrave. Me këto veprime të pandehurit në vazhdim dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale -keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Që nga viti 2017 e deri në muajin maj të vitit 2019, në vazhdimësi, të pandehurit në bashkëkryerje në cilësinë e  personave zyrtarë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror,  kanë marrë – pranuar para,  në atë mënyrë që ata si persona zyrtar të veprojnë ose të mos veprojnë, në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nga të pandehurit D.I., B.R., D.D., M.R., M.R., Z.V. dhe personave të tjerë si transportues të mallrave, për kalimin e automjeteve me mallra duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit të mallrave, kanë pranuar – marrë shuma të ndryshme të parave për të vepruar  në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare. Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Të pandehurit Z.R., K.S., R.K., V.T., B.T., L.V., B.M dhe B.L. që nga viti 2017 e deri në maj të vitit 2019, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje nuk kanë kryer detyrat të përcaktuar me ligj dhe nuk i kanë përmbushur  detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë  çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër në atë mënyrë që i pandehuri Z.R., në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit, dhe të pandehurit K.S., R.K., V.T., B.T., L.V., B.M., B.L., në cilësinë e policëve patrollues në kuadër të ndërrimit ”C”, të stacionit të SPMK, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe autorizimet duke lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike dhe mallra ushqimorë nga Serbia për në Republikën  e Kosovës dhe anasjelltas, ashtu që ju kanë mundësuar përfitimin pasuror të kundërligjshëm të pandehurve D.I., B.R., D.D., M.R., M.R., Z.V. dhe persona të tjerë si transportues të mallrave duke i’u shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit të mallrave. Me këto veprime të pandehurit, në vazhdim dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale -keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Që nga viti 2017 e deri në muajin maj të vitit 2019, në vazhdimësi, të pandehurit në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror,  kanë marrë – pranuar para,  në atë mënyrë që si persona zyrtar të veprojnë ose të mos veprojnë, në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nga të pandehurit D.I., B.R., D.D., M.R., M.R., Z.V. dhe personave të tjerë si transportues të mallrave, për kalimin e automjeteve me mallra duke i’u shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit të mallrave,  kanë pranuar – marrë shuma të ndryshme të parave për të vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare. Me këto veprime të pandehurit në vazhdim dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale -marrja e ryshfetit.

I pandehuri N.G., që nga viti 2017 e deri në muajin maj të vitit 2019, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje nuk ka kryer detyrat e përcaktuar me ligj dhe nuk e ka përmbushë detyrën zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër në atë mënyrë që i pandehuri N.G., në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit, në kuadër të ndërrimit ”D”, të stacionit të SPMK në Zubin Potok, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe autorizimet duke lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike dhe mallra ushqimor nga Serbia për në Republikën  e Kosovës dhe anasjelltas, ashtu që ju ka mundësuar përfitimin pasuror të kundërligjshëm të pandehurve D.I., B.R., D.D., M.R., M.R., Z.V. dhe persona të tjerë si transportues të mallrave duke i’u shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit të mallrave. Me këto veprime në vazhdim ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Që nga viti 2017 e deri në muajin maj të vitit 2019, në vazhdimësi, i pandehuri  në cilësinë e  personit zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror,  ka marrë – pranuar para,  në atë mënyrë që ai si person zyrtar të veprojë ose të mos veprojë,  në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që nga të pandehurit D.I., B.R., D.D., M.R., M. R., Z.V. dhe personave të tjerë si transportues të mallrave,  për kalimin e automjeteve me mallra duke i’u shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit të mallrave, ka pranuar – marrë shuma të ndryshme të parave për të vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare. Me këto veprime në vazhdim ka kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Të pandehurit I.J., A.I., F.I., B.U., N.J., Xh.J., M.J., N.B., B.M., J.M. dhe S.I., që nga viti 2017 e deri në muajin maj të vitit 2019, të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje  edhe me të pandehurit D.I. dhe B.R, të cilët gjenden në arrati, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar kafshë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës duke i’u shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit të mallrave, në atë mënyrë që të pandehurit M.J., N.B,, B.M., J.M., S.I., kanë udhëtuar në Serbi ku atje i kanë blerë kafshët, më pas të njëjtit këto kafshë sipas marrëveshjes i kanë dorëzuar tek të pandehurit D.I dhe B.R., e të cilët kafshët i kanë kontrabanduar përtej kufirit nëpër mes rrugëve ilegale duke bashkëpunuar me tani të pandehurit në cilësinë e personave  zyrtarë në Policinë të Kosovës në SPMK-Zubin Potok. Më pas të pandehurit I.J., A.I., F.I., B.U., N.J., Xh.J, i marrin kafshët nga fermat (stallat) e të pandehurve D.I., B.R dhe i dorëzojnë tek pronarët e tyre si në fshatrat Pasomë dhe Akrashticë të komunës së Vushtrrisë dhe fshatin Sankovc të komunës së Drenasit.

Me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje dhe në vazhdim kanë kryer veprat penale – kontrabandë me mallra.

Më 28.5.2019, në fshatin Kushtovë, komuna Mitrovicë, me rastin e urdhër kontrollit nga ana e policisë së Kosovës, tek i pandehuri janë gjetur dhe konfiskuar  një armë zjarri AK-47 me nr.serik A-33013, një pushkë M-48 me nr.serik 61075, 12 fishekë të pushkës automatike, 30 fishekë të pushkës M-48, një pjesë vazhduese e pushkës automatike, e të cilat ditën kritike i ka poseduar pa autorizim dhe leje përkatëse dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Po ashtu, më 28.05.2019, në fshatin Koshtovë komuna Mitrovicë, me rastin e urdhër kontrollit nga ana e policisë së Kosovës, tek i pandehuri janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie e tipit “Zastava” me numër serik 19247 dhe dy fishekë të kalibrit 12 mm, e të cilat ditën kritike i ka poseduar pa autorizim dhe leje përkatëse dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.