Gurthyes FOTO- "Ec ma ndryshe"

Hulumtimi i “Ec ma ndryshe”:  Gurthyesit - Shkatërrues të ambientit dhe shëndetit publik

Pasoja të pariparueshme në ambient po shkaktohen nga kompanitë gurthyese sipas hulumtimit të fundit të bërë nga Organizata Jo Qeveritare “Ec ma ndryshe”

Sipas këtij hulumtimi, gurthyesit në Kosovë janë shndërruar në industri shkatërruese për ambientin.

“Gurthyesit në Kosovë janë shndërruar në veprimtari destruktivo-ambientale të cilat gjatë operimit janë duke shkaktuar pasoja të mëdha dhe të pariparueshme. Degradimi i tokës, rrëshqitja e dherave, ndotja e ujërave, ndotja e ajrit dhe ndotja nga zhurma janë disa nga efektet që çojnë në probleme të lidhura drejtpërdrejtë me shëndetin e njeriut dhe humbjen e biodiversitetit”, thuhet në hulumtim.

Sipas OJQ-së, institucionet në Kosovë vetëm japin leje për këtë veprimtari dhe më pas heshtin për degradimin e ambientit.

“Gurthyesit si veprimtari të shpeshta në Kosovë janë kontaminues të rrezikshëm të cilët lirshëm po vënë në rrezik jetën e egër dhe popullatat lokale, përderisa institucionet vazhdojnë të japin leje dhe pastaj të heshtin për veprimtarinë degraduese të këtyre operuesve”, thuhet tutje në hulumtim.

Kjo organizatë ne fund të artikullit ka cekur edhe disa rekomandime të cilat do duhej të zbatohen së shpejti pasi që sipas tyre situata është alarmante.

  1. Urgjentisht institucionet të monitorojnë veprimtarinë e gurthyesve të cilët posedojnë leje dhe të evidentohen shkeljet duke i proceduar ato drejtë institucioneve të drejtësisë;
  2. Gurthyesve të cilët veprojnë në mënyrë ilegale t’iu ndalet veprimtaria dhe të ballafaqohen me konsekuencat ligjore;
  3. Institucionet të veprojnë në përputhje me kornizën ligjore në dhënie të lejeve;
  4. Të organizohen takime konsultuese me komunitetin e banorëve dhe profesionistëve, dhe pa pëlqimin e tyre të mos lejohet asnjë veprimtari e gurthyesve;
  5. Të zhvillohet një plan aksional që dëmet e shkaktuara tashmë të riparohen përmes një aksioni mbarështetëror të mbjelljes së fidanëve, duke i obliguar operatorët që të mbjellin gjelbërim për rehabilitimin e zonave të eksploatuara.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.