Hulumtimi i BGF-së: Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndër më të ndikuarat nga kriza energjetike në Ballkanin Perëndimor

Balkan Green Foundation (BGF), me mbështetjen e Heinrich Böll Stiftung (HBS), sot publikoi hulumtimin “Kriza energjetike në Ballkanin Perëndimor: Masat e ndërmarra në kohën e rritjes së çmimeve të energjisë”.

Në këtë hulumtim u paraqitën faktorët që ndikuan në krijimin e krizës energjetike, ndikimin te shtetet e Ballkanit Perëndimor, masat e ndërmarra nga qeveritë e tyre kundrejt krizës si dhe rekomandimet kryesore për tejkalim të saj.

Fjolla Qorri, hulumtuese në BGF, tregoi gjetjet e këtij hulumtimi, të cilat janë se rajoni i Ballkanit Perëndimor është një nga më të prekurit nga kriza energjetike. “E kjo si pasojë e mungesës së diversifikimit të burimeve të energjisë, varësisë së madhe në termocentrale ndotëse dhe të stërvjetruara me thëngjill dhe si rezultat i importeve të larta të energjisë të cilat për shkak të krizës energjetike kanë arritur nivele rekorde”- tha ajo.

Sipas hulumtimit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë ndër shtetet më të ndikuara nga kriza energjetike.

GBF thekson se rimëkëmbja pas pandemisë çoi në një rritje të mprehtë të kërkesës për energji dhe e ngadalësoi përparimin në energjinë e ripërtëritshme.

Rënia e kapaciteteve prodhuese për lëndët djegëse, vonimi i tranzicionit energjetik, kushtet ekstreme të motit, të karakterizuara nga një verë e nxehtë dhe një dimër i ftohtë, që çuan në rritje të konsumit të energjisë dhe pushtimi rus i Ukrainës që çoi në mungesën e mallrave energjetike janë faktorët që krijuan krizën globale energjetike.

Sipas Besfort Kosovës, hulumtues në BGF, masat e Qeverisë së Kosovës janë të vonuara, të cilat sipas saj, ndihmojnë situatën por nuk e zgjidhin.

Ai tha se duhet të investohet në energji të ripërtëritshme, sidomos në atë të erës duke e cilësuar si më të shpejtë dhe të më lirë.

Lejimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje ai e quajti gabim pasi që sipas tij është formë mesjetare e ngrohjes.

Ai shtoi se qeveria duhet të ndajë buxhet që qytetarët të izolojnë shtëpitë e tyre, kështu duke ulur kërkesën për energji si dhe duhet krijuar kampanja mediatike për kursimin e energjisë elektrike.

Disa nga rekomandimet e këtij raporti përfshijnë avancimin e skemave të natyrës sociale për t’i mbështetur konsumatorët e varfër energjetik dhe për ta parandaluar dëmtimin e mëtejmë ekonomik për bizneset dhe industritë e caktuara; forcimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me krizën energjetike dhe krijimin e një sistemi interkonektiviteti më të mirë; rritjen e transparencës dhe cilësisë së informimit lidhur me krizën energjetike; si dhe angazhimin institucional drejt Agjendës së Gjelbër dhe Tranzicionit të drejtë energetik dhe largimin e burokracisë për investime në burimet e ripërteritshme të energjisë, si forma më e qëndrueshme drejtë dekarbonizimit.

“Çmimi i energjisë “Day Ahead” në Bursën Hungareze – HUPX, arriti në mbi 1047,1 EUR/MWh në muajin gusht të këtij viti. Duke i marrë parasysh këto trende, çmimet mund të rriten edhe më shumë këtë dimër, duke vështirësuar akoma më shumë situatën ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe duke ngritur më tej inflacionin.” – thuhet në komunikatën e BGF.