Peja | Foto: KALLXO.com

Hulumtim: Vendimi për veturën që "përplasi" institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Pejë

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet hulumtimi se si u përplasen për disa muaj Policia, Prokuroria e Gjykata në Pejë në lidhje me një vendim rreth një veture të sekuestruar.

Vetura e markës “Mitsubishi” ishte sekuestruar fillimisht nga Prokuroria e Pejës më 15.10.2020.

Prokuroria në Pejë kishte mbyllur hetimet dhe më 15.03.2021 i ishte drejtuar Gjykatës, e cila më 25.05.2021 kishte urdhëruar që vetura t’i kthehet pronarit.

Policia e Kosovës çelësin dhe targat e veturës ia kishte dorëzuar palës më 23.07.2021, pra gati dy muaj me vonesë.

Siç pretendon pala Masar Kabashi, drejtor i klubit alpin ‘Podguri’, hetuesit e Policisë nuk ia kishin liruar veturën edhe pse Gjykata e Pejës kishte urdhëruar lirimin e saj.

“Ne kemi bo disa ndërhyrje në veturë sepse e përdorim për rrugë malore për alpinizëm, dhe nga qendra e regjistrimit na është kërkuar që të kemi një dokument nga homologimi sepse ia kemi ndërruar dizajnin dhe ngjyrat e veturës dhe nga aty vetura është dërguar për ekspertizë në Policinë e Pejës dhe pas një kohe prokurori Arben Hoti i ka mbyllur hetimet sepse nuk ka gjetur që ka manipulim në numrat e shasisë së veturës”, thotë Kabashi.

Ai tregon se ka shkuar në Polici për me t’i marrë çelësat dhe dokumentet e veturës por nuk ia kanë dhënë sepse, sipas tij, Policia ka hezituar ta respektojë vendimin e Gjykatës.

“Për gati 2 muaj nuk na i kanë dorëzuar dokumentet, ne kemi vazhduar me ankesa por nuk kemi pasur sukses”, theksoi Kabashi.

Ankesa dhe letra se vetura nuk duhet të lirohet kishin shkruar edhe Policia e Kosovës.

Policia i kishte shkruar letër Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për t’ia sinjalizuar problemin.

Veprimet e policëve të Pejës përshkruhen në një dokument zyrtar të Policisë së Kosovës.

“Njësiti i Auto Krimeve nuk kishte hezituar apo kundërshtuar për të zbatuar vendimin po është kërkuar që lidhur me rastin të kryhet një ekspertizë e nivelit më të lartë nga AKF gjë që është pranuar dhe nga kryeprokurori i shtetit. Pas këtij vendimi policia e Kosovës në ketë rast Njësiti i Auto Krimeve dhe struktura udhëheqëse kanë paraqitur ankesën dhe sqarimin edhe me shkrim dhe takim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore Pejë lidhur me mospërfilljen e dëshmive te argumentuara nga Policia dhe ne lidhje me vendimin e lëshuar nga Gjykata Themelore Pejë. Gjërat kanë ndryshuar edhe pas komunikimit me Kryeprokurorin Agim Kurmehaj i cili ka komunikuar edhe me Kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi rasti është kthyer ne rishqyrtim dhe është kërkuar që Agjencinë Kosovar i Forenzikës – (AKF)-së) ta bëjë një super Ekspertizë e cila ka konstatuar, përsëri se Automjeti është i falsifikuar dhe numrat e shasis janë të manipuluar”, thuhet në dokumentin e Policisë.

Vetura asnjëherë nuk i ishte dorëzuar palës dhe Policia përsëri e kishte thirrur palën që t’i dorëzojë targat, librezën dhe çelësin e automjetit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thanë se Policia nuk ka hezituar që palës t’ia kthejë veturën por hetuesit policorë kanë pasur informacione se vetura është e falsifikuar dhe kanë kërkuar që çështja të rishikohet edhe një herë.

Para se të vinte deri të sekuestrimi i dytë i veturës pala ishte interesuar se ku është vetura e tij edhe pse në dokumente thuhej se vetura të dorëzohej ne ruajtje dhe administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar. Zyrtarët e këtij institucioni i kishin konfirmuar palës se vetura asnjëherë nuk ka shkuar aty.

Fadil Bunjaku, zëvendësdrejtor në APSK-së theksoi se vetura për të cilën po flasim asnjëherë nuk është dorëzuar në këtë institucion.

Edhe pse ishte dorëzuar çelësi dhe targat e veturës pala përsëri nuk mundi ta marrë veturën sepse ajo ishte duke u ruajtur në një parking privat dhe parkingu ku u mbajt vetura e tyre i kishte kërkuar paratë për kohën sa vetura ka qëndruar aty.

“Kemi shkuar në një parking privat në Pejë dhe aty e kemi pa se gjendet vetura. Punëtorët aty na kanë thanë se duheni me pasë një letër nga Policia ndryshe nuk kemi mundur ta marrim veturën sepse duheni me i pagu 2 mijë e 400 euro për kohen sa ka qëndruar aty”, thekson Masar Kabashi.

Por, pse Policia i dorëzon veturat e sekuestruara ne një parking privat kemi kërkuar përgjigje nga Policia ne Pejë që çka thuhet në përgjigjen e tyre.

“Urdhëresat për Sekuestrimin e përkohshëm (ose te përhershëm) të sendeve lëshohen nga Gjykatat kompetente dhe i drejtohet Agjencisë për Administrimin e Pasurisë se Sekuestruar ose Konfiskuar (AAPSK). Sipas ligjit, përgjegjës për ekzekutimin e këtyre urdhëresave janë Agjencia për Administrimin e Pasurisë se Sekuestruar ose Konfiskuar. Edhe ne rastin konkret  në lidhje me automjetin të markës “Mitsubishi”, urdhrin e ka lëshuar Gjykata Themelore Pejë, me të cilin ju ka drejtuar AAPSK-se, të cilin ende nuk e kanë ekzekutuar, sigurisht pritet të ndodhë ditëve në vijim. Në çdo komunë në Kosovë autoritetet komunale lidhin kontrata me kompani private që janë përgjegjëse për bartjen dhe ruajtjen e veturave të ndaluara nga Policia, edhe në Pejë Komuna ka lidhur kontratë të njëjtë me kompaninë e cila bën tërheqjen dhe ruajtjen e veturave të përfshira në rast te ndryshme”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Emisioni “Kallxo Përnime” kishte tentuar të marrë përgjigje edhe nga pronari i parkingut privat ku shteti i ruan veturat e sekuestruar.

Pronari i parkingut Erzen Bytyqi nuk ka pranuar të flasë para kamerës, por, në muhabetin e shkurtër, ka treguar versionin e tij që makinat i mban në parking për shkak se Policia i sjell ndërsa nuk e ka liruar makinën për shkak se pala nuk ka pasur një letër të nënshkruar nga Policia me të cilën i lejohet tërheqja e veturës.

Insistimi i Policisë në Pejë kishte bërë që prokurori t’i bjerë pishman urdhrit për lirimin e veturës dhe pas 3 muajve ai ka vendosur që veturën ta sekuestrojë përsëri.

Prokurori i rastit, Arben Hoti, nuk ka dashur të flasë para kamerës por në një përgjigje me shkrim ai ka treguar se pse ka vendosur t’i mbyllë hetimet e me pas t’i hapë përsëri pas ankesës që i ka ardhur rreth këtij rasti.

“Pas pranimit te ekspertizës është marr Aktvendim për Fillimin e Hetimeve dhe me pas janë ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore, ashtu qe me qellim te sqarimit te ekspertizës me datën 11.2.2021 konform dispozitave te KPP-se është dëgjuar edhe eksperti ne cilësi te dëshmitarit dhe Prokuroria me pas duke u bazuar ne provat e mbledhura e posaçërisht në deklaratën e ekspertit kishte marr Aktvendim për Pushimin e Hetimeve. Pas Aktvendimit për Pushimin e Hetimeve, është dërguar një ankese ne zyrën e Kryeprokurorit te Shtetit, dhe me pas nga zyra e Kryeprokurorit me datën 27.7.2021 përmes e-mailit zyrtar është pranuar një shkrese ku është sugjeruar dhe dhënë mendimin se Prokuroria duhet qe te kryej edhe një ekzaminim shtese nga eksperte te tjerë te kësaj fushe me qellim qe te eliminohen dilemat ne mes te ekspertizës dhe deklarimit te ekspertit qe ishte bere ne këtë rast, ashtu qe Prokuroria përmes Shënimit Zyrtar te datës 29.7.2021 ka konstatuar këtë veprim ndërsa me datën 30.7.2021 ka urdhëruar Agjencionin e Kosovës për Forenzike që të caktoje një grup prej 3 eksperteve te fushës dhe te njëjtit te ri-ekzaminojnë veturën. Pas pranimit te kësaj ekspertize te punuar nga komisionit prej 3 anëtareve, Prokuroria ka ri-filluar hetimet duke e trajtuar ekspertizën e re si prove e re dhe me pas janë proceduar palët dhe rasti ka përfunduar me Aktakuze me propozim për konfiskimin e veturës se sekuestruar”, thuhet ne përgjigjen e Prokurorisë në Pejë.

Masar Kabashi pretendon se ka bërë ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe është thirrur në deklaratë ku ka treguar se hetuesit policorë nuk po e zbatojnë vendimin e Gjykatës por sipas tij IPK i ka mbyllur hetimet.

Siç shihet në shkresat e lëndës, hetimet janë mbyllur edhe në Policinë e Kosovës.

Vetura u sekuestrua përsëri dhe tash ka edhe propozim për konfiskimin e saj e gjithashtu një person është akuzuar se ka ndërdyrë në numrat e veturës.