Hulumtim: Dosja e parashkrimit të tentim vrasjes me kallashnikov në Skenderaj 

17 më parë, Sinan Dajaku dhe komshiu i tij Bexhet Hajra kishin pasur disa probleme mes vete të cilat nisën për çështje pronësore ndërsa përfunduan të dy me aktakuza për shkak se Prokuroria në Mitrovicë në atë kohë i kishte akuzuar për tentim vrasje të njëri tjetrit. 

Por për ngjarjet të cilat u regjistruan në gusht e dhjetor të vitit 2006, Sinan Dajaku është dënuar me një vit burgim ndërsa komshiu i tij u lirua nën pretendimet se lënda e tij ka arritur kohën e parashkrimit relativ. 

Arsyetimi ishte se përgjatë viteve 2007 kur ishte ngritur aktakuza deri në vitin 2023, Gjykata Themelore në Mitrovicë nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me aktakuzën që kishte pranuar ndaj Bexhet Hajrës. 

Rasti i këtij të fundit ishte dërguar në Gjakovë për shkak se ish- gjyqtari Sinisha Mandusiq ishte një nga të dorëhequrit nga institucionet e Kosovës në vitin 2022. 

Disa nga lëndët që ka pasur në trajtim ai, janë bartur nëpër gjykata të tjera e që ajo e Bexhet Hajrës u parashkrua. 

Në zyrën e KALLXO.com javë më parë u paraqit Sinan Dajaku. Ai alarmoi se sistemi për 17 vite nuk u përkujdes që lënda e tij të merrte një epilog deri sa personi me të cilin kishte probleme në të kaluarën ishte liruar dhe ndaj tij tashmë nuk do të kishte ndonjë ndjekje penale apo mbajtje të dënimit. 

Dajaku është dënuar në vitin 2023 me një vit burgim për një ngjarje që ishte regjistruar në gusht të vitit 2006. 

Ai në emisionin Kallxo Pernime ka rrëfyer se si kishte nisur problemi me komshiun e tij Bexhet Hajrën. 

“është një rast që ka ndodhë afër shtëpisë time, personi që unë kam pasë ngatërresë me të kish qenë duke më bërë dëm në pronën time, unë kam qenë duke rregullu një këmbajë dhe kam qenë duke punu rreth pronës time jam afru me shiku çka po bën. E aty ku ish kanë tu e bë dëmin kish qenë tu e rrafshu terrenin dhe i thash çka je tu bë këtu, dhe më tha që jam duke e bërë qysh ka qenë”- nis rrëfimin Dajaku deri sa tregon se ngjarja ishte regjistruar në orët e mëngjesit të 2 gushtit 2006. 

Tutje Dajaku thotë se komshiu tij kishte një pajisje në dorë e që kishte filluar ai ta godiste ndërsa më pas Dajaku me një cekik që kishte në dorë thotë se ishte duke mbrojtur vetën dhe më pas e kishte goditur në kokë. 

“Nuk kam shku me qëllim me i ra, gjatë fjalosjes ai më ka sha e më ka godit dhe unë për me u mbrojtë i kam ra me çekiç që e kisha në dorë”- shton ai. 

Për këtë çështje, Dajaku tregon se kishte mbajtur masën e paraburgimit më shumë se 1 muaj dhe më pas ishte liruar por që tutje rrëfen se ato që pasuan pas asaj ngjarje nuk ishin të mira. 

“Nga atëherë deri më 12.04.2023 kur më kanë thirrë për Gjakovë kur kam qenë palë e dëmtuar unë nuk di nuk kam pas kurrfarë shkrese që dikush është marrë me këtë lëndë”- tregon Dajaku. 

Ai shpjegoi edhe se si për sulmin që i kishte bërë komshiut të tij kishte lypë edhe besën nga familja Hajra por që nuk ishte mbajtur një e tillë sepse pretendon se Hajra kishte tentuar dy herë ta vras me armë por për një rast nuk di se kush është marrë me të e tjetra ka përfunduar me parashkrim pa dënim. 

“Pasi kam dalë nga burgu kem qenë të detyruar me lypë besë, edhe kem lypë besë, një kohë më ka dhanë besë tani do ditë nuk më ka dhanë besë, kur nuk më ka dhanë besë unë nuk kam dalë jashtë mu dokë atij provokim”- tregon Dajaku. 

Ai rrëfen dy rastet që pretendon se komshiu tentoi ta vras. 

“Fillimisht me 13 dhjetor 2006 më ka gjujt Bexhet Hajra me armë zjarri mem vra në oborr timin, i kam thirrë policinë, kanë ardhë policia e Skenderajit, ata çka ka ndodh nuk e di sepse unë nuk kam marrë kurrë më kurrfarë shkrese për këtë rast, kryesorja ai më ka gjujt mem vra me paramendim”- shton Dajaku. 

Ndonëse për këtë rast nuk kishte asnjë informacion, një rast tjetër do regjistrohej sipas tij vetëm pak ditë më pas. 

“Me 29 dhjetor 2006 unë kam dalë me bë një telefonatë, në mbramje ka qenë terr i zi, dhe kur u dhez telefoni e aj në dritë të telefonit më ka gjujtë me kallashnikovë edhe ka ikë. Gjatë kohës sa ka ikë aj, u largu, ai kish ardhë në pronë temen, diku prej 10 metrave ka gjujt, ka hy në pronë timen në formë të msheftë dhe më ka gjujtë”- rrëfen Dajaku. 

Dajaku e Hajra i kishin rregulluar raportet, me kanun i kishin falur njëri tjetrit situatat e krijuara por ajo cfarë do të ndodhte 17 vite më pas, do e rikthente sërish në vëmendje situatën. 

Kjo pasi që Dajaku nuk po e pranon lirimin e komshiut të tij dhe dënimin e tij nga dy gjykata, ajo e Mitrovicës dhe vendimin e gjykatës së Gjakovës. 

Sipas tij nëse në asnjërën nga lëndët nuk janë trajtuar me kohë, dy lëndët do duhej të parashkruheshin e jo në njërën të vendosej lirimi e tjetrën dënimi. 

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Policisë në Rajonin e Mitrovicës për pretendimet e Dajakut në lidhje me ngjarjet që kishin ndodhur në të kaluarën. 

Në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, Policia në Mitrovicë ka thënë se rasti i gushtit të 2006, ishte cilësuar si tentim vrasje i dyshuar ishte Dajaku ndërsa rasti ishte proceduar me kallëzim penal në Prokurorinë e Mitrovicës më 04.08.2006. 

E në rastin e dytë, më 13.12.2006 rasti ishte cilësuar si shkrepje e armës, i proceduar me kallëzim penal në prokurorinë në Mitrovicë më 15.12. 2006 e që i dyshuar ishte Bexhet Hajra ndërsa ishte konfiskuar edhe një armë gjuetie. 

Për të njëjtën çështje KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. 

Prokuroria në Mitrovicë në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com kishte thënë se aktakuza për Dajakun ishte ngritur për vrasje në tentatikë ngjashëm sikurse edhe ajo ndaj Bexhet Hajrës, por që ky kishte edhe një vepër tjetër penale atë për armëmbajtje pa leje.

Gjykata Themelore e Mitrovicës nuk ka treguar pse nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me këto dy raste për mbi 15 vite, raste këto që një mori dënim e tjetri parashkrim. 

Ata në përgjigjen për KALLXO.com kanë arsyetuar se lënda i ka takuar një gjyqtari i cili është dorëhequr nga pozita dhe se lënda e tij ka shkuar me marrëveshje në Gjakovë. 

Lidhur me pyetjen nga Gjykata Themelore Mitrovicë janë bartur për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Gjakovë lëndët e gjyqtarit Siniša Mandusić dhe atje mund të merrni informata e duhura lidhur me rastin në fjalë”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Mitrovicës për çështjen e Hajrës. 

Në Gjakovë, KALLXO.com ka kërkuar sqarime për vendimin për mbylljen e lëndës me parashkrim. 

Në arsyetim shpjegohet qartë se në rastin e Hajrës, Gjykata në Mitrovicë nuk kishte ndërmarrë as edhe një veprim që nga ngritja e aktakuzës dhe se në bazë të ligjit, lënda duhej të shkonte në parashkrim relativ.

“Nga dt. 21.09.2007 kur është ndërmarrë veprimi i fundit procedural i cekur me lartë e gjerë me datën 21.09.2022 kanë kaluar 15 vite ndërsa gjerë me dt.27.02.2023 kur është bartur kjo lëndë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, kanë kaluar më shumë se 15 vite”- thuhet në arsyetimin e vendimit të gjyqtarit Sulltan Dobraj për rastin e Hajrës. 

Por ndonëse vendimi ishte marrë për parashkrim relativ, të paktën kjo gjykatë kishte vendosur që një kallashnikov ta sekuestronte e që ishte përdorur në rastin e tentim vrasjes së Sinan Dajakut më 29.12.2006. 

Dajaku këtë muaj do të nis edhe dënimin të cilin ai pretendon se është i padrejtë. 

KALLXO.com ka tentuar që të flas edhe me Bexhet Hajrën por ai aktualisht gjindet në Gjermani. 

Përmes telefonit, KALLXO.com ka arritur që të bie në kontakt me vëllain e Bexhetit, Muhamet Hajrën i cili tha se vëllai ka shkuar për shërim atje dhe se tani ka probleme me kokë. 

Për çështjen me Dajakun, tha se rasti ka përfunduar dhe dy palët janë pajtuar mes vete. 

Në fund të bisedës ndonëse tha se do të ndante me ekipin një kontakt me Bexhet Hajrën pasi kishte biseduar me të ai nuk kishte shprehur gatishmëri të bisedonte për çështjen me KALLXO.com.