Ilustrim

Huliganizmi në stadiumin e Gjilanit, arrestohen edhe 3 të dyshuar

Edhe tre persona janë arrestuar nga Policia në lidhje me incidentin në stadiumin e Gjilanit, ku pasi tifozëria gjilanase u fut në fushë u sulmua fizkisht portiere i klubit mysafir – Ballkani, Stivi Frashëri.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani.

Kështu, numri i të arrestuarve në lidhje me këtë rast shkon në 4.

Policia ka njoftuar se të gjitha veprimet është duke i ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Rasti nga Policia po trajtohet si pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm.

Portieri i Ballkanit është sulmuar fizikisht nga tifozë të KF Gjilani, të cilët hynë në fushë për të festuar golin e barazimit 1-1 në minutat e fundit të ndeshjes.

Për shkak të lëndimeve, portieri Stivi Frashëri është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit.

Udhëheqja e grupit të tifozëve “Skifterat” ka dënuar “aktin e shëmtuar” dhe ka deklaruar dorëheqjen e parevokueshme.