MAShTI nënshkruan marrëveshje me Bankën Gjermane për Zhvillim për arsim profesional

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nënshkruar sot marrëveshje me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW) për realizimin e projektit “Fondi i Sfidave të Kosovës – Arsimi Profesional dhe Trajnimi”, në shumë prej 7 milionë eurosh.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami tha se projekti është me periudhë 6 vjeçare dhe se do të implementohet nga kompanitë private.

“Projekti prej 7 milionë eurove është grant i Qeverisë Gjermane që na vjen në Kosovës përmes Bankës Gjermane për Zhvillim, do të implementohet në një periudhë 6 vjeçare. Janë kompanitë private, bizneset që do të hyjnë në marrëveshjen me shkollat profesionale të Kosovës, dhe do të jetë projekt me grantet me trajnim dhe investim të ndryshme në mënyrë që të rriten vendet e punës e të gjithë të rinjve”, tha ajo.

Kurse, drejtori i Bankës Gjermane për Zhvillim në Kosovë, René Eschemann tha se ky projekt do t’i ndihmojë edhe bizneseve për rimëkëmbje pas pandemisë.

“Me këtë projekt në dëshirojmë të aktivizojmë trajnimet në shkolla dhe së bashku me kompanitë të sigurohet më shumë vende punë për të rinjtë, kështu që janë të gatshëm për sende të reja që do të vijnë”, ka tha ai.

“E di që tani është një kohë e vështirë për të gjitha shkollat dhe kompanitë, janë edhe më keq me situatën dhe si t’ia dalin. Por, sidoqoftë ne dëshirojmë t’i mbështesim kompanitë, si jenë  atraktive, dhe jemi duke pritur që të kemi bashkëpunim dhe shpresojmë që të ia dalim”, ka shtuar ai.

Arsimi profesional është pjesë e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional që iu mundëson nxënësve, të cilët e kanë kryer shkollimin e obliguar 9 (5+4) vjeçar ose atyre që kanë mbushur 15 vjeç dhe më të mëdhenj, arritjen e shkathtësive për punësim brenda institucioneve të arsimit profesional.
Arsimi i mesëm profesional, që nënkupton shkollat profesionale, si qëllim parësor ka përgatitjen e kuadrove për treg të punës, por ofron edhe mundësi të aplikimit në studime më të larta post sekondare dhe universitare. Ky lloj arsimi në Kosovë është organizuar në tetë tipe të shkollave, ku mësimi zhvillohet në disa profile.