HRW u bën thirrje vendeve të ndihmojnë afganët në rrezik

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW) u bëri thirrje agjencive dhe qeverive të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që të rrisin mbështetjen e tyre për afganët që janë në rrezik.

Ndihma, sipas organizatës, duhet t’u ofrohet edhe atyre të cilët kërkojnë të ikin nga atdheu ose kanë ikur tashmë dhe janë në vendet fqinje me Afganistanin, vendet tranzite dhe vendet e zhvendosjes.

HRW u kërkoi vendeve dhe agjencive që të strehojnë refugjatët dhe azilkërkuesit afganë dhe të “përqendrohen në drejt zgjidhjeve të sigurta dhe të qëndrueshme për afganët që kanë nevojë për mbrojtje”.

Pasi në muajin gusht talibanët morën kontrollin e pjesës më të madhe të Afganistanit, shumë afganë janë në rrezik të madh të hakmarrjes nga grupi islamik i vijës së ashpër, duke përfshirë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, aktivistët e të drejtave të grave, punonjësit e mediave, gjyqtarët dhe të tjerë që më parë kishin pozita zyrtare administrative dhe në pozicionet e sigurisë.

Drejtori për të drejtat e refugjatëve dhe migrantëve në HRW, Bill Frelick tha se “afganët kanë shumë arsye për të ikur dhe kanë frikë”.

“Përgjigja më e mirë ndaj kësaj krize humanitare mund të ofrohet përmes politikave bujare për refugjatët dhe migracionit, që respektojnë të drejtat dhe janë të ndjeshme nga ana kulturore”, thotë ai.

HRW thotë se qeveritë duhet t’i bëjnë presion administratës së udhëhequr nga talibanët që të lejojë afganët të ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u larguar nga vendi.

Organizata citoi refugjatët të kenë thënë se ata ishin “ngacmuar, rrahur dhe zhvatur nga zyrtarët talibanë” derisa po bënin përpjekje të largoheshin./REL