Policia kroate - Foto REL/AFP

HRW: Kroacia të ndalë dhunën ndaj migrantëve në kufirin me Bosnjën

Kroacia duhet të ndalë menjëherë kthimin e migrantëve dhe azilkërkuesve në Bosnje dhe Hercegovinë, thuhet në një letër të hapur, të cilën organizata Human Rights Watch (HRW), i ka dërguar presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq.

HRW dhe organizata tjera, përfshirë UNHCR-në dhe Këshillin e Europës, kanë raportuar rregullisht për rritjen e shqetësimeve për dhunën e zyrtarëve kroatë ndaj migrantëve në kufirin me Bosnjën.

Autoritetet kroate i kanë kundërshtuar pretendimet.

“Zagrebi duhet t’i japë fund dëbimit të paligjshëm dhe dhunës kundër migrantëve në kufijtë e saj”, tha Lydia Gall, hulumtuese e lartë për Ballkanin në Human Rights Watch.

“Zyrtarët kroatë të kufirit kanë keqtrajtuar qindra, ndoshta mijëra, migrantë dhe azilkërkues, të cilët meritojnë drejtësinë”, tha ajo.

Si rezultat i mbylljes së kufirit të 2016 në rrugën e Ballkanit Perëndimor, mijëra azilkërkues u bllokuan, shumica në Serbi, dhe gjetën rrugë të reja drejt BE-së.

Më 2018, numri i migrantëve dhe azilkërkuesit u rrit në Bosnje dhe Herzegovinë, nga më pak se 1.000 në vitin 2017 në rreth 22.400, sipas Komisionit Europian.

Komisioni vlerëson se 6.000 migrantë dhe azilkërkues janë aktualisht në këtë vend.

Bosnja dhe Hercegovina i ka dhënë mbrojtje ndërkombëtare vetëm 17 personave që nga viti 2008.

Në vitin 2017, 381 persona kanë aplikuar për azil atje.

Që nga korriku 2018, Agjencia Europiane, e njohur zakonisht si Frontex, ka pasur një prani në kufirin Kroaci dhe Bosnjë nëpërmjet një sistemi të mbikqyrjes, që nënkupton patrulla të përditshme përgjatë kufirit dhe zonës kufitare.

Një nga prioritetet e operacionit Frontex është zbulimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe kthimet e shpejta të migrantëve.

Por në fund të majit, Frontex i tha Human Rights Watch se nuk kishte zbuluar ndonjë shkelje të të drejtave të njeriut. (REL)