Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhiq mori më shumë vota në komunat me shumicë serbe se aty ku jetojnë boshnjakët

Adrijana Hoxhiq dhe lista e saj “Komuniteti i Bashkuar” ka fituar zgjedhjet brenda komunitetit boshnjak.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Iniciativa e Adrijana Hoxhiqit ka marrë 6 mijë e 379 vota, e ndjekur nga VAKAT me 5 mijë e 672 vota.

Një numër i madh i votave për Iniciativën e kryesuar nga Hoxhiq kanë ardhur nga komuna që janë të banuara me shumicë serbe.

Në një intervistë për KALLXO.com, Hoxhiq thotë se mbështetja e saj ka ardhur për shkak të projekteve me organizata ndërkombëtare në komunat me shumicë serbe.

“Mbështetja ime në komunat e Kosovës ka ardhë falë projekteve me organizata ndërkombëtare joqeveritare të cilat e kanë pasë natyrën e zhvillimit ekonomik. Komunikimi me qytetarët për realizimin e këtyre projekteve ka qenë pothuajse i përditshëm”, tha Hoxhiq në KALLXO.com.

“Që prej vitit 1999 unë punoj në nivel lokal dhe këtij procesi unë nuk i kam hyrë si një person anonim. Janë disa komuna ku unë besoj se e gëzoj respektin nga ana e qytetarëve”, tha tutje ajo.

Hoxhiq e ka pranuar se nuk ka bërë fushatë jashtë 4 komunave veriore, përjashto Prizrenin dhe Pejën.

Në Komunën e Prizrenit, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, jetojnë 16 mijë e 896 qytetarë të komunitetit boshnjak, mirëpo Iniciativa e Adrijana Hoxhiqit ka marrë vetëm 225 vota.

 

Derisa Koalicioni Vakat ka marrë 2 mijë e 746 vota, NDS i Emilja Rexhepit 1,993 vota dhe SDU e udhëhequr nga Duda Balje ka marrë 1 mijë 698 vota.

Sipas Hoxhiqit, kjo ka ndodhur për shkak që ajo nuk ka qenë shumë aktive në komunën e Prizrenit.

“Unë në Prizren nuk kam qenë aktive sepse puna ime është ndërlidhur më shumë më procesin e integrimit të 4 komunave në veri. Unë shpresoj që qytetarët e Prizrenit kanë me pasë rast, ne do të kemi zgjedhje parlamentare edhe në të ardhmen. Nëse unë me punën time nuk e arsyetoj besimin që të marr edhe më shumë vota, atëherë është mënyra, janë zgjedhjet”, tha Hoxhiq në intervistën e KALLXO.com.

E pyetur se si ka ndodhur që ajo ka marrë vota në komunat e tjera me shumicë serbe, jashtë 4 komunave veriore, Hoxhiq thotë se Kosova është një shoqëri demokratike.

Ndonëse në Partesh nuk jeton asnjë qytetar i komunitetit boshnjak, Iniciativa e Adrijana Hoxhiq ka marrë 183 vota.

“Në Gjilan i kam marrë 249 vota, në Partesh 183. Nuk e di sa boshnjakë jetojnë në Partesh. Nëse ne e kemi një qasje të tillë, që një parti boshnjake duhet të mbështetet vetëm nga një etnicitet, atëherë ne nuk jemi një shoqëri demokratike. Unë nuk kam pritur që të mbështetem vetëm nga një komunitet, sepse besimi im është në bashkëjetesë nuk e di pse çuditen njerëzit”, thotë Hoxhiq për KALLXO.com.

Ajo e ka pranuar se gjatë fushatës zgjedhore nuk i ka vizituar komunat me shumicë serbe si Graçanicën, Ranillugun, Kllokotin apo Parteshin, por thotë se ka bërë fushatë përmes rrjeteve sociale.

Një arsye që sipas saj mund të ketë marrë mbështetje është edhe fakti se ka qenë ministre e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ku ka vizituar të gjitha komunat dhe thotë se ka biseduar me qytetarët për problemet e komuniteteve.

“Unë kam qenë për 11 muaj ministre e Pushtetit Lokal dhe për këtë periudhë kam vizituar shumë komuna. E kam vizituar Parteshin, Kllokotin, më duket se kam qenë edhe në Rranillug, kam qenë në Istog, e Suharekë dhe pyetja e parë që e kam bërë në secilën komunë ka qenë pyetje që ndërlidhjet me komunitetet pakicë dhe e kam parë gjendja është e tmerrueshme, sidomos për komunitetin boshnjak”, thotë ajo.

“Numrat e votave po flasin se Adriana Hoxhiq është e vetmja politikane e cila ka përkrahje nga të gjitha komunitet dhe unë më këtë gjë mburrem”, shtoi Hoxhiq.

Në Graçanicë sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 jetojnë 15 boshnjakë. Mirëpo Iniciativa e Adrijana Hoxhiqit ka marrë 385 vota.

Ndërsa të gjitha partitë e tjera boshnjake, VAKAT, NDS dhe SDU së bashku në Graçanicë kanë marrë 19 vota.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, nuk janë përfshirë 4 komunat veriore dhe nuk dihet numri i saktë i qytetarëve të komunitetit boshnjak që jeton në këto 4 komuna.

Në Zubin Potok, Iniciativa e Hoxhiqit ka marrë 407 vota, ndërsa VAKAT, NDS dhe SDU nuk kanë marrë asnjë votë.

Mirëpo, Hoxhiq thotë se edhe në Graçanicë edhe në Zubin Potok kanë pritur më shuma vota.

“Në Graçcanisë dhe në Zubin Potok kam pritur që të marrë shumë më shumë vota. Në Graçanicë nuk kam qenë në fushatë, nuk ka pasë nevojë”, tha ajo.

Në 4 komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, Iniciativa e Adrijana Hoxhiq “Komuniteti i Bashkuar” ka marrë në total 3 mijë e 770 vota.

E pyetur nëse ajo e di që më shumë ka marrë vota nga vendbanimet ku jetojnë me shumicë komuniteti serb se sa ai boshnjak, Hoxhiq thotë se nuk i ka këto informacione.

“Nuk mundem të di nëse nga këto vota që i kam marrë, numri më i madh i votuesve të mi janë të komunitetit boshnjakë, sepse vota e qytetarit është e fshehtë. Unë nuk e di se kush si ka votuar. Unë do të përpiqem që më në fund ta kemi reprezentuesin e komunitetit boshnjak që do të punoj për interesin e komunitetit boshnjak”, tha ajo.

Hoxhiq thotë se në listën e saj të deputetëve të gjithë kanë kandidatët kanë qenë nga komunat veriore dhe vetëm një nga komuna e Prizrenit. Sipas saj, të gjithë kandidatët në listë kanë qenë të komunitetit boshnjakë.

Hoxhiq thotë se nuk e ka problem nëse më këtë çështje merret edhe prokuroria apo rasti shkon në Gjykatë Kushtetuese.

“Le të çojnë në Gjykatë Kushtetuese, le të hetojë prokuroria. Secili institucion le ta kryejë punën e vet. Unë e di që jam e pastër si loti dhe kjo është e qartë”, thotë ajo derisa shton se e gjithë kjo po bëhet nga “frika e humbjes së karrigeve”.

“Linçimi ndaj meje ka vetëm një qëllim, ruajtjen e 3 karrigeve për ata që tërë jetën janë në ato karrige e tash po frikohen se i kanë humbur”, tha Hoxhiq në intervistën dhënë për KALLXO.com.