Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhiq: E votoj atë kryeministër që i themelon dy komuna boshnjake, një në Prizren e një në Pejë

Kandidatja për deputetë nga komuniteti boshnjak dhe po ashtu nënkryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adriana Hoxhiq në “Kallxo Pernime” ka thënë se ajo ka kushte për ta votuar qeverinë e re, në rast se bëhet deputete.

Kushti i Hoxhiqit është themelimi i dy komunave boshnjake në Kosovë.

“Adriana Hoxhiq shkon në koalicion me atë parti dhe e përkrah atë opsion që i siguron se komuniteti boshnjak do t’i themelojë dy komuna të reja”, tha ajo.

“Unë tash kam me hy në Parlament dhe do të provoj të marrë një ministri dhe kushti im do të jetë që ta ketë institucionin qeverisje lokale. Ne duam dy komuna, në rajonin e Pejës dhe Prizrenit. Ne do të merremi vesh me qytetarët dhe reprezentuesit politikë në këto dy rajone. Unë shpresoj që kemi me pasë bashkëpunim të mirëfilltë me Duda Baljen, me Rasim Demirin e Emilja Rexhepin”, tha ajo.

“Unë shpresoj që më në fund të gjithë boshnjakët, pa marrë parasysh se cilës parti i takojnë, të bashkëpunojnë për interesa të tyre”, shtoi ajo.