Hoxhiq: Bashkëpunimi me Goran Rakiq ka qenë i natyrës së punës

Kërkesa e deputetit Korab Sejdiu për të debatuar rreth nevojës për vendosje të sanksioneve ekonomike (përfshirë embargon) dhe sanksioneve politike kundër Serbisë si masë reciprociteti, shkaktoi polemika të shumta mes deputetëve.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje lëshuan sallën gjatë këtij diskutimi, pasi deputetit të saj Xhelal Sveçla iu ndalua fjala kur ai filloi të komentojë emërimin e ministres së re nga kryeministri Haradinaj.

“Pas emërimit të Adriana Hoxhiq në krye të Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal nga kryeministri Ramush Haradinaj shumë qytetarë të Veriut na kanë kontaktuar duke shprehur pakënaqësinë por edhe mllefin e tyre. Ajo zyrtarisht nuk është anëtare e Listës Serbe por është një ndër ideatorët dhe zbatueset më të zellshme të politikave të tyre. Ajo është njëra ndër bashkëpunëtoret më të bindura të Goran Rakiqit. Adriana Hoxhiq edhe pse e martuar me një burrë shqiptar, jetojnë në Veri të Mitrovicës edhe fëmijët i dërgon në shkollë në gjuhën serbe”, deklaroi Sveçla.

Kryesuesi Xhavit Haliti kërkoi që t’i ndërpritet fjala deputetit sepse siç deklaroi ai, ‘biografitë e askujt s’duam me i bë këtu në Kuvend’.

“Të lutem ndale fjalën, ajo është shtetase e Kosovës s’ka nevojë na me ia përmend as fejesën e as martesën. Prej sot edhe ajo është ministre dhe do t’i mbrojmë edhe të drejtat e saj. Nëse e ka biografinë e keqe le t’i kërkojnë llogari kryeministrit e jo familjes së zonjës Hoxhiq”, ka thënë Haliti.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se kërkesa e këtij deputeti është e tejkaluar sepse tashmë ka disa muaj që kemi sanksione ndaj Serbisë.

“Këto janë kompetenca të qeverisë së Kosovës, të cilat tashmë i ka zbatuar qeveria. Ju tashmë e dini që kemi një taksë për Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën dhe nëse ajo nuk është sanksion ekonomik atëherë nuk e di çka tjetër. Nëse ka një kërkesë më eksplicite ta tregon.”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka biseduar me ministren Hoxhiq, e cila thotë se bashkëpunimi me Goran Rakiq ka qenë i natyrës së punës, meqë ajo ka punuar në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

“Unë kam punuar në Komunë të Mitrovicës së Veriut. Kushdo që kish qenë kryetar i Komunës unë kisha bashkëpunu me të. Këto janë shpifje, unë kam punuar në interes të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut pa dallime”, tha në një prononcim për KALLXO.com, ministrja Hoxhiq.

Ajo i ka quajtur shpifje pretendimet e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa u shpreh që është krenare që i shërben qytetarëve të Kosovës.

“Edhe tani nga pozita e ministres, detyra ime është të punoj me të gjithë kryetarët e komunave, të cilët vijnë nga partitë të ndryshme, tash a të akuzohem unë se po punoj me ndonjë parti. Këto janë shpifje, le t’i argumentojnë. Unë e kam për detyrë t’i shërbej qytetarëve dhe është nder për mua t’i shërbej qytetarëve pa marrë parasysh cilit etnitet i takojnë”, tha për KALLXO.com ministrja e re, Adriana Hoxhiq.