Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: Vetëm kjo Qeveri nuk e kupton strategjinë diplomatike e propagandistike serbe

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka kërkuar nga qeveria që të krijohet një strategji për t’iu përgjigjur fushatave diplomatike dhe propagandistike serbe kundër Kosovës.

“Që nga shpallja e pavarësisë, Serbia është përpjekur të krijojë imazhin se monumentet kulturore dhe fetare të pakicës serbe në Kosovë janë të rrezikuara, por ne kemi parandaluar vlerësime të tilla nga institucione me reputacion dhe ne jemi përgjigjur me diplomaci aktive dhe mbështetjen e partnerëve tanë. Ajo që u bë e pamundur për vite u realizua në një kohë të shkurtër me ardhjen e qeverive Hoti dhe Kurti”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai ka thënë se ka qenë një fushatë mediatike dhe diplomatike e nxitur nga Beogradi zyrtar që disa muaj në lidhje me pozicionin e Kishës Serbe në Kosovë dhe qëllimi është shumë i qartë, “përveç qeverisë aktuale që nuk e kupton atë dhe nuk ka ide se si të përgjigjet”, ka shkruar Hoxhaj.