Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: Vendimi i Kurtit për të hequr vizat për Bosnjën dhe Hercegovinën nuk është asgjë më pak se një kapitullim

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me vendimin për heqjen e vizave për Bosnjën dhe Hercegovinën, duke thënë se vendimi i njëanshëm “nuk është asgjë më pak se një kapitullim”.

Hoxhaj ka thënë se Kurti po i nënshtrohet bllokadës së Republikës Srpska, pa siguruar lëvizje të lirë reciproke për Kosovën.

“Beogradi sot po ndjehet rehat. BE-ja filloi liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia që qytetet e Kosovës i paraqet si të Serbisë, e Qeveria Kurti i dha lëvizje të lirë serbëve të Republika Srspka-s në të njëjtën ditë. Vendimi unilateral i Kryeministrit Kurti për të hequr regjimin e vizave për Bosnjën dhe Hercegovinën nuk është asgjë më pak se një kapitullim”- ka shkruar Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, ky vendim i Brukselit është një sulm i qartë ndaj sovranitetit të Kosovës “ndaj të cilit Kurti ka heshtur dhe nuk ka kundërshtuar në bisedimet e tij në tavolinat e majta, të cilat kanë rezerva ndaj shtetësisë së Kosovës”.

“E gjitha kjo ndodhi duke i dhënë Beogradit një mjet për vetëmenaxhimin politik të popullsisë serbe në Kosovë, vitin e kaluar në vilën e Titos në Ohër. Kurti po hap rrugën për agjendën e Beogradit, duke minuar pavarësinë e fituar me sakrificë të Kosovës dhe duke kërcënuar të ardhmen e saj me politikën e dorëzimit ndaj agjendave të majta evropiane”- ka thënë tutje ai.

Ai ka thënë se është shumë krenar që ka qenë ai që ka propozuar regjim të vizave me Bosnjën dhe Hercegovinën pasi Repubika Srspka kishte kushtëzuar tërë shtetin boshnjak që të merrte një vendim të tillë.

“Të shoh Kryeministrin Kurti që sot pa asnjë reciprocitet të shpall një vendim të tillë, është gabim shumë i madh politik, ngaqë qytetarët tanë do presin para ambasadave të Bosnjës dhe pse mos të presin edhe ata para ambasadave të Kosovës”- ka shtuar Hoxhaj.

Nga data 01.01.2025, mbajtësit e dokumenteve të identifikimit të Bosnje dhe Hercegovinës do të mund udhëtojnë për në Kosovë lirshëm.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Samitin e Procesit të Berlinit.

Ai tha se Kosova merr këtë vendim njëanshëm, pasi Bosnjë dhe Hercegovina ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen që qytetarët e të dyja vendeve të lëvizin vetëm me letërnjoftime.

Kurti: Nga 1 janari Kosova njëanshëm heq vizat për Bosnje dhe Hercegovinën