Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj tregon si e kishin mbajtur të fshehur lajmin për ngritjen e aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit

Enver Hoxhaj ka thënë se 4 nëntori i vitit 2020 ka qenë dita më e gjatë në jetën e tij.

Kjo për faktin se atë ditë kishin marrë lajmin për ngritjen e aktakuzës ndaj dy ish-kryetarëve të partisë së tij, PDK-së, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Atë natë, sipas Hoxhajt, shumë pak veta në PDK e kishin marrë vesh lajmin dhe se e kishin mbajtur në mirëbesim, deri të nesërmen, më 5 nëntor, kur Thaçi e Veseli vetë e kishin dhënë lajmin për aktakuzën dhe kishin dhënë dorëheqje nga pozitat që kishin dhe ishin dërguar në qendrën e paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

“Atë natë, shumë pak persona në PDK e morëm vesh lajmin, e mbajtëm në mirëbesim, deri në momentin kur dy miqtë e mi, Hashimi e Kadriu, e vendosën se duhet të njoftohen edhe qytetarët e Republikës, për të cilën vazhdojnë të mos e kursejnë veten!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Natën e 4 nëntorit 2020 ai e ka quajtur si më të vështirën ndonjëherë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë arrestuar dhe janë dërguar në Hagë, ku do të gjykohen për krime të luftës, të cilat pretendohet se janë kryer në kohën kur ata kanë qenë në krye të UÇK-së.