Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj thotë se u hap qielli e u kryqëzuan yjet për Kosovën, Kurti e fton Jahja Kokën t`i përgjigjet

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj në debatin për politikën e jashtme ka thënë se ka ndodhur një zhvendosje e madhe ndërkombëtare për Kosovën dhe e ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të tregojë se çfarë do të bëjnë më tutje në këtë drejtim.

“Nuk mundet kryeministri i Kosovës më shpesh ta takojë presidentin e Bosnjës sesa të Sllovenisë e Kroacisë. Më shpesh të Greqisë sesa Shqipërisë. Mendoj që kjo është serioze. Nuk e kemi ftuar këtë debat për ta mundur zotin Kurti sepse i ka fituar zgjedhjet shkurtin e kaluar, por ky shkurt është tjetër”, ka thënë ai.

Sipas tij kjo është një mundësi e madhe për Kosovën dhe sipas tij “te myslimanët kësaj i thonë me u hap qielli”.

“Meqë ka ndodhur një zhvendosje e madhe ndërkombëtare mund të jetë mundësi e madhe për Kosovën dhe kemi ftuar për të na treguar cfarë do të bëjë, e di që një pjesë e madhe jeni me ramazan, të myslimanët kësaj i thonë me u hap qielli, njëherë hapet, krishterët i thonë m`u kryqëzua yjet”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti është përgjigjiur duke ftuar deputetin Jahja Koka që t`i sqarojë këto deklarata.

“Ne konsiderojmë që barazia arrihet nëpërmjet përfaqësimit të dinjitetshëm dhe këtë gjë e kemi bërë. Sa për atë a u hap qielli, a u mbyll qielli, a ylli polar, ato nuk i di, por e ftoj Jahja Kokën t’i sqarojë”, ka thënë ai.

Hoxhaj deklaratat e kryeministrit Kurti për politikën e jashtme i ka krahasuar me telefon “Nokia” ndërsa ka thënë se tashmë është koha e telefonit “Iphone”.

“Kjo që tha kryeministri është Nokia, është Nokia e lodhët, koha e Iphone-it është”, tha ai.

“Kujdes që Nokia i ka do modele goxha të reja po ashtu se di ai keni përcjellë”, tha kryetari i Kuvendit Glauk Konjucfa.