Hoxhaj në takim me Palmer Foto: PDK

Hoxhaj takon Palmer, kërkon një rol më të madh të SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj është takuar me Zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Mathey Palmer dhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Phlilip Kosnett.

“Në këtë takim është biseduar për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, pritjet nga ky proces të PDK-së që duhet të përfundojnë me njohjen e ndërsjelltë, rolin opozitar të partisë në jetën politike të vendit si dhe tema të tjera me interes për vendin”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga PDK.

Në këtë takim, Hoxhaj ka kërkuar nga përfaqësuesit e SHBA-së që të kenë një rol më të drejtpërdrejtë në procesin e dialogut.

Hoxhaj në këtë takim ka qenë i shoqëruar edhe nga dy deputetët e tjerë të PDK-së, Uran Ismaili dhe Blerta Deliu Kodra.

Matthew Palmer dhe Miroslav Lajçak do të qëndrojnë në Kosovë ku do të takohen me liderë institucional e partiak.