Hoxhaj përkujton masakrën e Izbicës, kërkon drejtësi për gjenocidin serb në Kosovë

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka përkujtuar 22 vjetorin e masakrës së Izbicës në Drenicë, ku u vranë 147 persona.

Hoxhaj së bashku me figura të tjera të partisë, si Sami Lushtaku, Blerta Deliu, Ganimete Musliu, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Izbicë.

“Duke e ditur që ditëve të tyre në Kosovë po u vinte fundi, forcat paramilitare serbe, të orkestruara dhe të urdhëruara për të realizuar gjenocid nga kokat e një regjimi kriminal si ai i Millosheviçit, me 28 mars 1999 ia mësynë Izbicës së Drenicës, për të plaçkitur, vrarë e deportuar qindra shqiptarë”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Tutje Hoxhaj ka thënë se Kosova asnjëherë nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për krimet që janë bërë në Kosovë.

“Atë ditë, në Izbicë u vranë e masakruan 147 persona, mes tyre burra, gra e pleq dhe u deportuan në Shqipëri mijëra të tjerë. Sot, me bashkëpunëtorë e miq, ishim në Izbicë, në tokën e gjakut, për të kujtuar dhe nderuar sakrificën e martirëve tanë. Kosova asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi – derisa edhe i fundit prej përgjegjësve të krimeve të kryera nga serbët të japë llogari për veprimet e tyre”, ka theksuar ai.

Sot bëhen 22 vite që kur në Izbicë të Skenderajt forcat serbe kishin masakruar 147 shqiptarë.