Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj për programin qeverisës: I dobët dhe i kotë, nuk ka plan veprimi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokrtaike të Kosovës, Enver Hoxhaj e ka kritikuar planin qeverisës të prezantuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë seancës që po vazhdon të mbahet në Kuvend.

Hoxhaj e ka quajtur program të dobët dhe të kotë. Ai gjithashtu ka kritikuar thirrjen e kësaj seancë dy muaj pas marrjes së mandatit qeverisës. Pasi sipas Hoxhaj, qeveria duhet të trajtoj me urgjencë çështjen e vaksinimit kundër COVID-19.

“Ftesa e kryeministri për të prezantuar planin qeverisës me një seancë të jashtëzakonshme pas dy muajve të marrjes së mandatit, nuk ka të bëjë më kurrfarë urgjence e as nguti. Kjo seancë duhet të ishte krejt e zakonshme dhe normale dhe të mbahej në fund të marsit e jo në mes të majit. Sot qeveria do të duhej me nguti ta trajtoj temën e vaksinimit e popullatës. Pamjet e trajtimit të prindërve, gjyshërve dhe të moshuarve tanë ku ata shtyheshin me njëri-tjetrin pa fajin e tyre për të marr një vaksinë, tregon se vendi po shkon drejtë një katastrofe shëndetësore. Qeveria e tij dhe ai vet, i kanë braktisur qytetarët në betejën e vështirë më pandeminë. Nuk kanë guxim dhe dije e as përvojë as ta menaxhojnë pandeminë as qeverinë”, tha Hoxhaj.

“Programi nuk ka plan-veprimi, objektivat nuk përkthehen në aktivitete konkrete, nuk ka afate kohore, nuk ka buxhet, nuk dihen as institucionet përgjegjëse që do të duhej t’i zbatonin këto objektiva. Ky është programi më i dobët, më i kotë dhe do të mbahet mend për pasaktësinë aritmetike në vend të llogaritjeve reale. Ikje nga realiteti”, shtoi deputeti i PDK-së.

Ai u shpreh se ka mospërputhshmëri në program lidhur me vaksinimin e 60 përqindëshit të premtuar.

“Në faqen 6 të këtij materiali, thuhet se do të sigurohen e 60 për qind të vaksinave të grupmoshave që duhet të vaksinohen brenda vitit, kurse në faqen 7 flitet për vaksinim e 60 % të popullatës. A jem t’u folë për vaksinim e 1 milionë e 600 mije apo për vaksinim e 130 mijë, sa do të ishte 60 për qindëshi i atyre mbi moshën 65 vjeçare. Cilët do t’i vaksinoni kryeministër?”, pyeti ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së.

Deputetet e Kuvendit te Kosovës janë duke e mbajtur seancën e jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës Prezantimin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.