Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: PDK voton kundër Qeverisë Kurti

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, në seancën që pritet të votohet Qeveria Kurti 2, tha se partia e tij nuk do ta votojë kabinetin e Albin Kurtit.

“Jemi si PDK që të votojmë kundër jush si përmbajtje, si program dhe si përbërje, por edhe si qasje dhe këtë rol do ta ushtrojmë edhe në  të ardhmen”, tha Hoxhaj.

Ai shtoi se LVV-ja fitoi zgjedhjet, sepse në zgjedhjet e 14-shkurtit dominoi pasioni dhe jo argumentet.

“Në këto kohë më shumë dominuan pasionet sesa argumentet dhe natyrisht që LVV fitoi zgjedhjet dhe sot kemi para nesh votimin e Qeverisë Kurti dhe dëgjuam ekspozimin e kryeministrit Kurti”, tha Hoxhaj.

Sipas tij, prezantimi i programit të Kurtit ishte një ‘listë dëshirash’,

“Unë e njoh gjatë Kurtin dhe kam pasur mundësi që të bashkëpunoj me të, ajo se çka kam dëgjuar çdo herë është që më shumë e kam parë të ky vetëdijen politike për tema të caktuar sesa njeriun, ndërsa sot më shumë e pash njeriun me një listë të dëshirave sesa vetëdijen që e prisja”, tha Hoxhaj.

Ai u shpreh se nuk pa ndonjë plan konkret sa i përket menaxhimit të pandemisë me COVID-19 dhe sigurimin e vaksinave.

“Unë s’pashë plane konkrete se kur do të sigurohen vaksinat dhe kush mund t’i sjellë dhe si do të ndodhë vaksinimi, nuk dëgjuam një politikë të fortë ekonomike që do t’i adresonte problemet e pandemisë”, tha Hoxhaj më tej.

Sot është konstituuar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës.

Kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca me 69 vota, kurse tashmë pritet që të votohet qeveria Kurti 2.

Qeveria Kurti 1 ishte votuar më 3 shkurt të vitit të kaluar pas një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Qeveria e Kurti 1 është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa më 3 qershor, deputet votuan për qeverinë Hoti, e cila erdhi pas koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ndërsa më 21 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese, e konstatoi se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, në këto zgjedhje LVV-ja së bashku më listën ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit u rendit e para me 438 mijë e 335 vota apo 50,280%.