Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: PDK nuk ka votë për Vjosa Osmanin, është figurë përçarëse

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka përsëritur qëndrimin e kësaj partie, duke thënë se nuk do të kenë votë për Vjosa Osmanin presidente.

Hoxhaj ka renditur disa arsye se pse PDK nuk do ta votojë Osmanin, duke e quajtur figurë përçarëse dhe që nuk përfaqëson unitetin e popullit.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votë për Vjosa Osmanin për presidente të ardhshme të Kosovës. Ajo është treguar një figurë përçarëse, aspak përbashkuese dhe nuk e përfaqëson unitetin e popullit. Duke qenë e motivuar partiakisht dhe që përfaqëson interesat e vetëm një partie dhe liderit të saj, znj. Osmani nuk mund të jetë aspak e denjë për pozitën e presidentes”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Ai shtoi se PDK nuk do e tradhëtoi besimin e votuesve të saj, derisa thotë se PDK do të jetë partia e vetme opozitare që do të ‘ballafaqojë pushtetin deri në fund’.

“PDK-ja nuk do ta tradhëtoj besimin e votuesve të saj. Ne jemi partia e vetme në opozitë që do ta ballafaqojmë deri në fund pushtetin e ri, do t’i përfaqësojmë qytetarët e Kosovës dhe do ta mbajmë përgjegjëse për çdo premtim e vendim. PDK sikurse e kemi thënë gjatë zgjedhjeve, do të jetë fronti i vetëm politik në Kosovë kundër boshtit populist të përfaqësuar nga z. Kurti”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook Enver Hoxhaj.

Vjosa Osmani sot është takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku me të cilin janë dakorudar që të mbajnë edhe një takim tjetër, por nuk kanë treguar nëse janë marrë vesh që LDK ta mbështesë ish-anëtaren për presidente.