Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: PDK nesër mbledh Këshillin Drejtues

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se të mërkurën do të mblidhet Këshilli Drejtues i kësaj partie.

Hoxhaj ka thënë se në takimin e nesërm do të diskutohet për përgatitjet për zgjedhjet lokale.

“Është mbledhja e tretë pas rezultatit zgjedhor të 14 shkurtit. Është mbledhje e rregullt e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës sikurse është menduar që nesër të jetë mbledhja e Këshillit Drejtues në të cilën do të diskutojmë mbi një temë të vetme, dhe ajo është sesi PDK-ja të përgatitet për zgjedhje lokale”, tha Hoxhaj para gazetarëve.

Hoxhaj tha që PDK-ja në mbledhje me strukturat e saj, do të diskutoj për rolin e saj opozitar në legjislaturën e re, duke mohuar raportimet në media se do të ketë shkarkime në Kryesinë e kësaj partie, pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Prej 14 shkurtit ne kemi një debat të hapur në PDK rreth rezultatit zgjedhor, sesi të sillemi si opozitë, çfarë opozite duhet të bëjmë. Ju i keni parë qëndrimet që kemi plasuar dje te z. Kurti. Unë po ju them me sinqeritetin më të madh se nuk ka asnjë tjetër”, tha ai.

PDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit kandidat për kryeministër ka pasur Enver Hoxhajn.

Në këto zgjedhje kjo parti është renditur e dyta me 148 mijë e 285 vota duke kapur 17,009% të votave nga totali.