Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Hoxhaj: Parimet bazë që përcaktojnë nëse takimi në Shtëpinë e Bardhë është në përputhje me interesat e Kosovës

Ish-kryediplomati kosovar dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se janë tri parime bazë të cilat përcaktojnë nëse takimi i 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është në përputhje me interesat e vendit tonë.

Më 4 shtator në Washington pritet të ketë një takim ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, për, siç është thënë, marrëveshje ekonomike.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës tha se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.

Sipas Hoxhajt, parimi i parë në takimin e paraparë për më 4 shtator duhet të jetë një takim bilateral dhe në përputhje me aktin më të lartë juridik.

“Parimi i parë ka të bëjë me atë se a do jetë marrëveshje bilaterale dhe me karakter ndërkombëtar, edhe nëse përmbajta e saj është ekonomike. Kjo ka të bëjë me pjesën hyrëse të marrëveshjes dhe si do të nënshkruhet nga ana e Kosovës dhe Serbisë, nëse diçka e tillë do të ndodhë. Meqë amerikanët janë ndërmjetësues dhe SHBA jo vetëm që e ka njohur Kosovën, por është garancë e shtetësisë së saj, Kosova duhet të insistojë në karakterin bilateral të saj dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë për KALLXO.com nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj ka kritikuar edhe përbërjen e delegacionit të Kosovës. Ai ka thënë se më mirë do të ishte sikur ai të përbëhej nga ekonomistë të mirë.

“Parimi i dytë ka të bëjë me substancën e marrëveshjes dhe që është ekonomia dhe këtu pyetja është se a do t’i mbrojë interesat ekonomike të Kosovës. Dhe këto mendoj që kryeministri Hoti me shumë do të ndihmojë nëse do kishte disa ekonomistë të mirëfilltë dhe ekspertë të mirëfilltë sesa delegacionin që ka pas vetes. Çdoherë në takime të tilla dy-tri ide mund të ndryshojnë për të mirë rrjedhën e negocimit!”, ka vlerësuar Hoxhaj.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme ka ngritur disa pikëpyetje rreth zbatimit të çfarëdo lloj marrëveshje që do të mund të arrihej më 4 shtator.

“Dhe parimi i tretë ka të bëjë me pritjen që po kultivon vetë qeveria: a do jetë një marrëveshje e mundshme me fokus temat ekonomike pjesë e një marrëveshje të madhe për njohje të ndërsjellë apo jo? Apo do të jetë një vetëm një marrëveshje e veçantë, pa iu referuar marrëveshje për normalizim të plotë që është njohja e ndërsjellë? Kush do të mbikëqyrë zbatimin e saj?”, vlerëson ai.

Ndërsa, ka thënë se çdo vendim për Kosovën nga ShBA ka qenë me peshë historike, por sa do të shfrytëzohet kjo mundësi nga delegacioni i Kosovës atje, pritet të shihet.

“Natyrisht ka qenë kërkesa e jonë për rol më të madh të SHBA në këtë proces dhe çdoherë vendimet e Washingtonit kanë qenë historike për Kosovën. Ta shohim sesa delegacioni i Kosovës do të mund dhe dijë ta shfrytëzojë këtë shanse dhe parimet te tilla vlen vetëm nëse krijohet mundësia e ndonjë marrëveshje tematike”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkuar në ShBA vetë i teti, së bashku me dy zëvendëskryeministrat, Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj-Halimaj, ministrat Selim Selimi, Meliza Haradinaj-Stublla e Arban Abrashi. Pjesë e delegacionit është edhe koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni dhe Ardiana Dushi, shefe e kabinetit të Hotit.