Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj paralajmëron mbajtjen e konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet që këtë muaj ta mbajë konventën zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, pas shkuarjes në Hagë të ish-kryetarit Kadri Veseli.

Kështu ka bërë të ditur kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj në një bashkëbisedim në Lëvizjen “FOL”.

“Ka një kërkesë të anëtarësisë së PDK-së, e të strukturave që PDK-ja të merr vendime për lidershipin e saj të ardhshëm, për kryetarin e saj të ardhshëm. PDK-ja duhet ta mbajë një konventë, e cila do të duhej ta zgjedhë kryetarin e ardhshëm dhe në pikëpamjen time, kjo do të duhej të mbahej gjatë këtij muaji”, tha Hoxhaj.

Ai ka folur edhe për atë se kush mund ta udhëheqë tutje partinë.

“Se kush mund të garojë, se kush ka ambicie ta udhëheqë PDK-në, kush ka vullnet, kush është ai që mund ta ruajë unitetin në parti, është çështje e atyre të cilët duhet t’i shfaqin ambiciet në konventë dhe të vendosin anëtarët”, theksoi ai.

Hoxhaj tha se nuk do të flasë për kandidaturën e tij përderisa është kryetar në detyrë i PDK-së, me arsyetimin se “duke qenë i pari në parti në funksionin e ushtruesit të detyrës, i duhet të sigurojë parakushte demokratike që gara të jetë fer dhe e hapur”.