Hoxhaj në Prizren: Në garë për kryeministër jemi vetëm unë dhe Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër nga kjo parti, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite në Prizren ka deklaruar se në zgjedhjet e 14 shkurtit, garojnë për kryeministër vetëm ai dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti.

“Në këto zgjedhje ka dy persona që garojnë për t’u bërë kryeministër, jam unë dhe Albin Kurti dhe ka dy modele ekonomike, të cilat mund të krijohen në Kosovë. Modeli i parë është modeli i jonë që parasheh lehtësira fiskale për bizneset dhe kemi politikë të qarte fiskale se çka do të bëjmë për bizneset”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka premtuar edhe fond prej 500 milionë eurosh për bizneset.

“Modeli jonë parasheh mbështetje institucionale për bizneset dhe jemi të interesuar që ta bëjmë një gjë të tillë dhe parasheh mbështetje të mirëfilltë në formë të granteve, ne mendojmë që duhet të ketë një fond rreth 500 milionë euro që në formë të granteve do t’iu ndahet të gjithë atyre bizneseve të cilët janë goditur për shkak të pandemisë“, ka thesuar Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, ‘modeli i LVV-së, është model i retorikës, demagogjisë dhe popullizmit, që parasheh rritje të taksave’.

Ndërsa, nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza, shpalosi planin e rimëkëmbjes, ku ka theksuar se prioritet është ndihma për bizneset që janë dëmtuar nga pandemia.

 “Përveç këtij fondi kemi parapa që të bëhet subvencionimu i normave të interesit, se po e dimë që edhe kamatat po janë kosto për biznesin. Subvencionimi i normave të interesit për të gjitha ndërmarrjet prodhuese, përpunuese, shërbyese që kanë qëllim të eksportit”, tha Hamza.

“Përtej  normave të interesit të gjitha kompanitë që paguajnë tatim në fitim të korporatave, punësojnë deri në nivel të caktuar dhe bëjnë deri në një nivel investime norma e tatimit në fitim në korporata të përshkallëzohet 8, 7, 5 edhe 0. Të gjithë ata punëdhënës që pagën mesatare të të punësuarve të vet e bëjnë 500 euro shteti ua zvogëlon normën e tatimit në fitim të korporstave prej 10 në 5″, ka shtuar ai.

Sipas tij, me planin i rimëkëmbjes së PDK-së do të ketë rritje të kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive deri në 100% për të mbështetur apo për të garantuar projekte të ndryshme investuese në shumë prej 100% për bizneset.

Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Prizren ka zhvilluar një vizitë edhe te kompania prodhuese “Abi” dhe ka vizituar bizneset në “Abi Qarshia”.

Po ashtu, ai ka takuar shumë qytetarë në Prizren me të cilët ka bashkëbiseduar për progamin e rimëkëmbjes.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë do të mbahen te dielën e 14 shkurtit.