Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: Ne nuk kemi vota për asnjë President tjetër nëse nuk është nga PDK-ja

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj tha në një konferencë për media se tashmë kanë diskutuar për pozitën e presidentit të Kosovës.

Hoxaj ka thënë s e pozita e presidentit t’i takojë Partisë Demokratike të Kosovës nëse kërkohen votat e kësaj partie.

Më tej, ai ka thënë se nuk kanë vota për asnjë kandidat tjetër që nuk vjen nga PDK.

“Ne kemi debatuar në PDK këtë çështje. PDK është në opozitë dhe mbetet në opozitë, por janë tema të karakterit nacional. Presidenti i cili zgjidhet në Kuvendin e Kosovës nuk është vetëm i PDK por edhe i opozitës dhe qytetarëve. Prandaj nëse ka kërkesa nga Qeveria që ta marrin mbështetjen e PDK ne jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë, por në atë rast kur kërkohen votat e PDK-së edhe kandidati duhet të jetë i PDK-së. Ju e dini që këtë mandat e ka pasur Thaçi i cili në të kaluarën ka qenë kryetar i PDK-së që ka heq dorë prej pozitës së kryetarit dhe është bërë president i Kosovës. Nëse dikush kërkon vota të PDK-së duhet ta dijë se Gjykata Kushtetuese ia ka ndërpre mandatin dhunshëm dhe ne duam që ky mandat me vota të PDK-së t’i takojë PDK-së dhe nuk kemi vota për asnjë kandidat tjetër që vjen prej partive në pushtet”, ka deklaruar Hoxhaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

Pas njoftimit për ngritjen e aktakuzës nga ana e Speciales në qershor të këtij viti, Thaçi ishte zotuar se do të japë dorëheqje nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet.

“Ashtu siç kam premtuar, nuk do te lejoj që para gjyqit të dal presidenti. Unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha dhe të mos lejojnë të thellohemi në krizë kushtetuese e institucionale”, kishte thënë presidenti në konferencën për media në Prishtinë në ditën kur dha dorëheqje.